Zyra e Presidentes Osmani: Në vend të kërkimfaljes, Shkupi po bën propagandë kundër Kosovës

Prishtinë | 02 Gus 2024 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Presidenca e Republikës së Kosovës shpreh indinjatën për deklarimet e papranueshme të MPB të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës në disa media të Maqedonisë së Veriut sa i përket incidentit të paprecedentë kundër Presidentes Osmani dje në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.

Në reagimin e gjatë të Presidentcës thuhet se në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale.

“Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vetë institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vetë MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontrollë të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thuhet në reagimin për medie.

Presidenca e Kosovës ka dhënë versionin e saj, duke sqaruar edhe njëherë situatën në tërësi:

  1. Sipas praktikës ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike. Kjo është e ditur botërisht dhe deri më tani është respektuar nga çdo shtet ku ka udhëtuar Presidentja, përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e Presidentes në përputhje me praktikat diplomatike.
  2. Nuk është e vërtetë se Presidentja nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës. E para, Presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj.
  3. Është skandaloze të pretendohet nga kushdoqoftë se gjoja Presidentja kishte diçka të dyshimtë në çantën e saj. Jo vetëm se është një e pavërtëtë e madhe, por kjo njëkohësisht është akuza më e rëndë dhe propaganda më e rëndë e bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpier tek kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të Presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
  4. Nuk është e vërtetë se kompania private apo koncesionarët e aeroportit janë mbi shtetin dhe mbi konventat ndërkombëtare të cilat përcaktojnë rregulla të qarta për trajtimin e kreut të shtetit. Edhe Aeroporti i Prishtinës është i koncesionuar dhe menaxhohet nga kompani private, por ne nuk lejojmë asnjëherë që një president i një shteti tjetër të trajtohet në mënyrë të tillë jodinjitoze e arrogante dhe të kërkohet t’i merret telefoni personal për vendosje në skanerë.
  5. Një gjë e tillë është jashtë çdo praktike dhe bie ndesh me protokollet e sigurisë dhe praktikat ndërkombëtare, duke qenë se telefoni i Kreut të Shtetit dihet qartë se përdoret për komunikim zyrtar, përfshirë edhe për çështje të sigurisë. Në kundërshtim me këto standarde ishte edhe kontrolli i çantës së dorës së Presidentes, por ajo përkundër kësaj menjeherë e ka vendosur çantën në skaner.
  6. Edhe pse Policia e Kosovës ia ka komunikuar paraprakisht zyrtarëve të aeroportit të Shkupit rregullat e aplikueshme në situata të tilla, ata kanë tentuar ta pengojnë fizikisht Presidenten, me ç’rast në përputhje të plotë me protokollet e sigurisë, ka reaguar profesionalisht Policia e Kosovës.
  7. Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident.
  8. Në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, kërkojmë nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës.
  9. Nga SHBA-të e deri te shtetet e tjera të rajonit, në çdo udhëtim të Presidentes respektohen në plotëni rregullat e trajtimit të kreut të shtetit dhe ASNJËHERË nuk kërkohet të preket, e lëre më të dorëzohet në skaner as telefoni i Presidentes, as çanta e dorës e as valixhja e saj (carry on).
  10. Këto janë rregulla që i respekton çdo shtet e i kanë respektuar edhe shtetet jonjohese, sepse kreu i shtetit përfaqëson vet shtetin. Pra Kosova në këtë rast nuk po kërkon asgjë tjetër pos normave që respektohen çdokund në botë. Çdo shkelje e këtyre normave konsiderohet shkelje e mosrespekt ndaj vet shtetit.

Të ngjashme