Zyra e Presidentes reagon, flet për “tendenca të vazhdueshme për denigrim dhe njollosje të Presidentes nga media të caktuara”

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 20:28 | Nga Ekonomia Online

Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar në orët e mbrëmjes të premten, një reagim rreth një shkrimi të Gazetës Express, të cilin e kishte ripublikuar dhe Ekonomia Online.

Megjithëse reagimi i kreut të shtetit, duke marrë shkas një lëshim teknik, (si ka ndodhur kjo i është shpjeguar stafit të saj), është i mbushur me konstatime përgjithësuese dhe akuzuese për dy mediet, EO e publikon të plotë.

REAGIMI I PLOTË I ZYRËS SË PRESIDENTES:

Në lajmin e publikuar sot nga gazetaexpress.com dhe i ripublikuar nga ekonomiaonline.com, me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, ndër tjera thuhet: “Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani – e cila garoi në listën zgjedhore të VV-së, ku kjo parti fitoi mbi 50% të votave – para pak ditësh, publikoi me krenari shpenzimet e Osmanit, duke thënë se asnjë cent s’u shpenzua dosido”.

Një sugjerim redaksional skandaloz në brendi të tekstit “mundesh me hjek krejt, vec nëse do m`i qepu Vjosës”, të cilin nuk kemi arritur ta verifikojmë se cili medium e ka vendosur brenda tekstit përbën shkelje të rëndë profesionale, tendencë të hapur mediale e politike të vazhdueshme për denigrim dhe njollosje të Presidentes.

Mediat e apostrofuara ia hedhin fajin njëra-tjetrës për këtë skandal, teksa kjo praktikë e këtyre mediumeve, u dëshmua se nuk përbën gabim, por qëllim.

Kërkojmë nga redaksitë e mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publikisht për këtë shkelje profesionale, sepse nuk është hera e parë që ndiqet një qasje e tillë në raportimet e tyre për Presidenten!

SQARIMI I EKONOMIA ONLINE:

Redaksia e Ekonomia Online kishte bërë më herët, gjatë ditës, një sqarim rreth ripublikimit të shkrimit për të cilin ka reaguar Presidenca.

Aty sqarohej se shkrimi nuk është shkruar nga EO, por është marrë nga Gazeta Express (https://www.gazetaexpress.com/lvv-si-pushtetare-mburret-se-po-kursen-uje-harxhon-derivate-sa-dhjetera-rroga-minimale/)

Shkrimi është postuar nga një gazetare praktikante, e cila nuk e ka vërejtur që brenda tekstit ka dhe një fjali të tillë: “mundesh me hjek krejt, veç që don m’i qepu Vjosës”. Sapo është vërejtur nga redaktorët, lajmi është fshirë. Për gabimin e rëndë profesional, gazetarja praktikante nuk do të jetë më pjesë e redaksisë.

Redaksia e pranon me keqardhje gabimin që ka lejuar një gazetare të papërvojë të publikojë një lajm (të huazuara nga mediet e tjera). Por, dëshirojmë të sqarojmë se ky është një lëshim profesional, dhe është e habitshme pse tentohet t’i jepet konotacion tjetër këtij lëshimi të paqëllimtë.

Zyra e Presidencës i jep vetes rolin që të vlerësojë profesionalizimin e dy medieve, me konstatime paushalle. “Kjo praktikë e këtyre mediumeve, u dëshmua se nuk përbën gabim, por qëllim… Tendenca të vazhdueshme për denigrim dhe njollosje të Presidentes… Nuk është hera e parë që ndiqet një qasje e tillë në raportimet e tyre për Presidenten!”, thuhet aty, pa dhënë ndonjë fakt, në çka bazohen këto konstatime.

Të ngjashme