Zyrapi: Njësia Speciale e UÇK-së nuk ka pasur të drejtë ta arrestojë askënd

Prishtinë | 02 Kor 2024 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se Njësia Vëzhguese e cila ishte speciale e UÇK-së, nuk ka pasur të drejtë që ta arrestojë askënd.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një urdhëresë, të cilën pohoi se e kishte bërë ai, e në të cilën thuhej se Njësia Speciale s’ka të drejtë të marrë veprime të tilla ndaj askujt. Megjithatë, Zyrapi shtoi se ky urdhër ka dalë për shkak se një rast i tillë kishte ndodhur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Se kjo është Njësi Vëzhguese, Njësi që reagon në reagime të shpejta. Nuk është njësi që merret me çështjen e arrestimeve për arsye se është përdorur në këto njësi. Njëherë është përdorur edhe nga inspektori i përgjithshëm në një fshat në territorin e Zonës së Pashtrikut dhe për ato arsye është dhënë ky urdhër”, tha Zyrapi.

Dëshmitari u pyet se a ishte Rexhep Selimi inspektor i përgjithshëm, por që përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

“Është bë një masë disiplinore për shkak të disiplinës që ka ndodhur në atë fshat dhe është përdorur kjo njësi që nuk është dashtë të përdoret në këtë mënyrë. Ajo mund të përdoret në qoftë se beson në atë që do të arrestohen ose duhet të merren masa ndaj tyre, janë me armë dhe kanos rrezikun dhe mund të përdoren këto njësi si Njësi Speciale për t’i asgjësuar ato ose për t’i arrestuar. Përndryshe, është Policia Ushtarake dhe kanë mënyra të tjera të komandës se si duhet të veprojnë nga komandanti poshtë i brigadës, komandanti i zonave deri në atë të Shtabit”, tha Zyrapi tutje.

Ai shtoi se kjo njësi nuk ka pasur të drejtë as të izolojë ndokënd.

“Kjo njësi, në qoftë se folim për vetë njësinë është tjetër. Kjo nuk ka pas të drejtë as të izolojë, vetëm është përdorë në qoftë se grupet ose palët që është dashur të merren masa ndaj tyre kanë pas armë dhe kanë përdorur armët, atëherë kjo ka mujtë të përdoret si njësi. Përndryshe, jo për veprime të tjera”, u shpreh Zyrapi.

Të ngjashme