Zyrapi: Shtabi i Përgjithshëm s’ka arritur t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e nevojshme

Prishtinë | 11 Kor 2024 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i ZPS-së, Bislim Zyrapi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagnedra, dëshmitari tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka arritur që t’i plotësojë kapacitetet e nevojshme gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në përgjithësi, drejtoritë edhe në këtë kohë kanë qenë jo të plotesume, jo veç njona, dy e tri po asnjona. Shtabi nuk ka arritur t’i plotëson të gjitha kapacitetet e nevojshme për këtë Shtab. Kemi shku me ato çka kemi pasur, me çka kemi qenë në dispozicione e që kemi mujtë të punojmë”, tha Zyrapi.

Dëshmitari tha se sa i takon informimit në struktura është bërë gjatë takimeve duke shtuar se ata nuk kanë mundur që t’i profesionalizojnë të gjitha sektorët.

“Informimi zakonisht në atë kohë ka qenë siç e ceka edhe më herët siç shifet edhe në mbajtjen e takimeve, gjithnjë me problemet e furnizimit, resurseve e të gjithave që nevojitet. Në fakt, në normale përveç kësaj duhet të jetë edhe aspekti i profesionalizimit të këtyre drejtorive. Kur them profesionalizimit është edhe pjesa e trajnimeve dhe aftësimeve të njësive edhe më poshtë të këtyre sektorëve. Po, ne nuk kemi arritur të gjitha këto t’i bëjmë. Ne vetëm disa sektorë kemi mujtë t’i arrisimi, t’i përgatisim një pjesë të këtyre drejtimeve por të gjitha jo”, tha ai.

Dëshmitari Zyrapi tha se në krye të drejtorisë së personelit në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm ishte emëruar Adem Grabovci.

“Drejtoria e personelit është e cila i ka edhe burimet njerëzore, ajo normale që informacionet i merrte edhe nga zonat edhe nga veprimet ushtarake edhe nga Shtabi, duhet marrë edhe nga drejtoritë të tjera, sidomos është dashur të marrë nga drejtoria e inteligjencës për arsye së është dashur me ditë edhe aspektin kur të përcaktohet dikush në detyrë komanduese se a mund t’i ofrohet dhe jepet ai besim. Ajo çdo kund, edhe në paqe edhe në luftë që nga kjo drejtori kërkohet çdoherë… ose mund të ushtrojë atë detyrë”, tha tutje dëshmitari.

Veç tjerash, Zyrapi shtoi se për emërimet në pozita të ndryshme janë bërë propozime.

“Mirëpo, të gjitha këto nuk kemi mujt t’i bëjmë në atë kohë për arsye se edhe drejtoritë nuk kanë qenë të para, edhe nuk kanë pas resurse që t’i kem gjitha këto mundësi t’i bëjmë. Ato sa herë janë dhënë mendimet se çdo herë janë propozu nga zonat, komandantëve e zonave ose brigadave që të emërohen dikush në detyrat sipas vlerësimeve të tyre. Tek ne në shtab, ne kemi mujtë t’i vlerësojmë, komandantët e brigadave dhe zonave që mund të vendosen në ato pozicione”, tha dëshmitari Zyrapi.

Tutje, Zyrapi shtoi se komandantët e zonave dhe brigadave propozohen nga zonat dhe brigadat e që pastaj emërimet mund të bëhen nga strukturat më të larta. Kurse, pozitat në njësi më të vogla ai tha se i bënë komandanti i zonës ose brigadës në vartësi të nevojave që ka.

Disa materiale që i prezantuan dëshmitarit, Alagendra kërkoi që të pranohen në prova materiale për çka nuk pati kundërshtime dhe kjo u aprovua.

Një pjesë e seancës kaloi në sesion privat me kërkesën e Alagendras për t’ia bërë dëshmitarit disa pyetje.

Për ditën e sotme dëshmitari Zyrapi mbaroi dëshminë, ndërsa pritet që të vazhdojë serish të hënën më 15 korrik 2024.

Të ngjashme