Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se Hashim Thaçi deri nëntor të vitit 1998 mbulonte Drejtorinë e Informimit dhe Marrëdhëniet me Publikun në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
Ai shtoi se më pas lindi nevoja për një pjesë të veçantë të anës politike, kështu që u formua Drejtoria Politike e në krye të saj u vendos Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Rolin e drejtorit të Drejtorisë për Marrëdhënie me Publikun e ka drejtu deri në transformimin e Shtabit të Përgjithshëm në nëntor të ’98-ës. Në nëntor është nxjerrë nevoja se ishin bisedimet me palën ndërkombëtare dhe me Serbinë, atëherë u dashtë nevoja që të jetë një pjesë … e veçantë e pjesës politike dhe është formu Drejtoria Politike, në të cilën fillimi i punës së saj ka fillu nga dhjetori”, tha Zyrapi.
Ai tha se Thaçi ishte vendosur në atë pozitë, për shkak të përvojave të tij që ka pasur për marrëdhënie me publikun dhe mediat.
“Dhe i ka njohur edhe aspektet ndërkombëtare dhe është vendosur në këtë detyrë dhe e ka ushtruar këtë detyrë deri në Rambuje kur është përcaktu edhe si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme nga Rambujeja që ka dalë”, tha dëshmitari.
Në gjyqin ndaj Ramush Haradinajt, sipas Mishetiq, dëshmitari kishte thënë se në verën e ’98-ës ekzistonin vetëm dy zona operative, ajo e Drenicës dhe e Dukagjinit, ndërsa zonat e Pashtrikut, Karadakut dhe Llapit u formuan më vonë dhe nuk funksiononin si zona të vërteta.
“Shumë mirë, e kjartë. E kam thanë edhe në dëshmi aty që zona e Drenicës dhe Dukagjinit ka qenë aktive në aspektin e luftimeve, kurse këto zona tjera nuk kanë qenë aq të organizuara dhe të unifikuara. Ato kanë ekzistuar aty, kanë qenë komanda e të gjitha, por nuk ka qenë i plotë e as nuk kanë qenë aktive shumë në luftime”, tha dëshmitari.
Bislimi mori shembull Zonën e Pashtrikut, për të cilën tha se kishte disa njësi që nuk ishin të lidhura me një komandë deri në fundin e qershorit 1998.
“Kur folëm për këtë kohën qershorin-korrikun, domethënë që nuk kanë qenë të organizuara mirë. Nuk kanë qenë për arsye se kanë qenë shumë grupe të ndryshme në këto territore. Kanë qenë edhe në territorin e Drenicës dhe në të Dukagjinit, po atje ka pas pak më mirë, më afër organizmi kurse në këto zonat nuk kanë qenë të gjitha. Kanë pas njësite të ndryshme brenda territorit”, tha Zyrapi.
Në Pashtrik, ai tha se ishin: njësiti ‘lumi’, ‘lisi e ‘pëllumbi’, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e lidhur me një komandë.
“Dhe shifet prej asaj që deri në fund të qershorit ku është caktu komandanti i zonës në zonën e Pashtrikut. Deri atëherë nuk ka pas as komandë, ndoshta ka pas komandë por nuk jam në dijeni, po shifet që deri atëherë nuk ka pas komandë dhe këto njësitë kanë vepruar sipas situatës dhe nevojave dhe kjo është aspekti i saj që nuk kanë qenë të organizuara. Këto njësi nuk kanë pas bashkëpunim në mes vete”, tha Zyrapi.
Përpara kësaj, Zyrapi u pyet nga Mishetiq se cilat ishin kushtet që mund të hynte në fuqi një urdhër i dalë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
“Që të hynte në fuqi një urdhëresë, e cila është e shkruar duhet të kishte nënshkrimin, vulën, numrin e protokollit”, tha ai.
Po ashtu, shtoi se nëse mungonin njëra nga këto elemente, urdhri nuk mund të hynte në fuqi.
“Pa nënshkrim edhe vulë, nuk mund të hynte në fuqi ose nuk është kry procedura administrative për të hy në fuqi ai urdhër”, tha Zyrapi.
Më pas, Mishetiq pyeti dëshmitarin se a mund të thuhet se komandantët e zonave në të gjithë UÇK-në merrnin autoritetin e tyre nga njësitë lokale të UÇK-së dhe jo nga Shtabi i Përgjithshëm, gjithmonë duke iu referuar periudhës kohore gjatë verës së vitit 1998.
“Komandantët e zonave në atë kohë normalisht që kanë pas prej njësiteve brenda zonave të tyre dhe ato veç nga ana ime kur jam ardhë i kam gjet dhe nuk mund të përcaktoj, por sipas një procesi dhe mënyrës si shihet, po. Po, është dhënë nga njësitë më poshtë dhe është përcaktu nga njësitë më poshtë”, u përgjigj dëshmitari.