Zyrapi thotë se në librat për UÇK-në ka ekzagjerime dhe nuk e tregojnë realitetin

Prishtinë | 17 Kor 2024 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Bislim Zyrapi tha se librat që i kishte lexuar dhe parë për luftën e UÇK-së, ishin të ekzagjeruar dhe se nuk e tregonin realitetin.

“Për ato se çka po lexoj dhe çka kam mujtë me pa, leximi ose shkrimi i librit me realitetin nuk përputhen. Po e them, pa marrë parasysh se kush e ka shkru këtë, e ka shkru Jakup Krasniqi apo e ka shkru Rexhep Selimi apo Bislim Zyrapi, por nuk është në përputhje me realitetin. Unë foli realitetin në atë se çka e kam gjet në atë kohë prej majit ‘98 e deri në fund. Jo veç këto libra, por edhe në disa libra kur kam lexu dhe disa libra që kam mujt me i pa, njëjtë kanë bërë ekzagjerime të shkresave që kanë bërë në libra. Tash për përfitime të tyre ditore, politike apo çka është çështje e tyre, por realiteti nuk është tregu”, tha Zyrapi.

Përgjigja e Zyrapit erdhi pas kundër pyetjeve të mbrojtjes së Veselit përmes avokatit Ben Emmerson, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykatësi Mettraux iu tha se mund të sugjeroni se Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do ta kenë gabim në atë se çfarë iu kujtohet atyre sipas jush, por a mund të pranojmë që ka tjetër shpjegim, një shpjegim me faktin që unë e thash këtë me përpara që pavarësisht nga fakti se kush e ka shkruar një libër apo tjetër, në përgjithësi lufta e UÇK-së është ekzagjeruar dhe roli i tyre se çfarë kanë bërë ata në luftë për gjithë arsyet e mundshme duke përfshirë edhe qëllimet politike apo arsyet e tjera është i zmadhuar, është i zgjeruar në përgjithësi dëshmitar?”, pyeti Emmerson e që pasoi me përgjigjen e mësipërme të dëshmitarit.

Emmerson u fokusua për takimet e Veselit dhe Zyrapit me Qeverinë Bukoshi si dhe nënshkrimin e marrëveshjes.

Zyrapi e rikonfirmoi se marrëveshja ishte arritur më 31 tetor, ndërsa ajo ishte nënshkruar më 2 nëntor, 1998.

Vlen të theksohet se në një pjesë të pyetjeve të Emmerson, seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar për të vazhduar më pas në sesion privat deri sa u hap serish për të vazhduar serish me pyetje.

Pas kësaj, mbrojtja e Selimit tha se nuk ka pyetje e që vazhdoi mbrojtja e Krasniqit përmes avokates Alagandra.

Alagendra u fokusua tek disa vendime lidhur me ushtarët që përdoronin maska, emërimet në UÇK e tema të tjera.

Pas kësaj, Charles Smith III i tha avokates se nuk është duke bërë pyetje por po i thotë dëshmitarit se a pajtohet me ato që tashmë i ka thënë më herët. Për këtë, Alagendra tha se po e krijon kontestin për të bërë pyetje për çka edhe vazhdoi.

Dëshmitari pohoi se UÇK-ja nuk ka funksionuar sipas rregulloreve tradicionale ushtarake.

“Është e vërtetë që nuk ka funsionu, ka qenë në zhvillim të saj”, tha Zyrapi duke shtuar se nuk ka pas resurse të plota për një funksionim të duhur.

Dëshmitari pritet që edhe nesër ta vazhdojë dhe përfundojë dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Dëshmitari Zyrapi thotë se s’kishte autoritet të marrë masa ndaj Remit

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se nuk kishte autoritet që të marrë masa ndaj Rrustem Mustafës- Remit, i cili sipas mbrojtjes nuk i kishte zbatuar këshillat e Shtabit të Përgjithshëm për t’i larguar forcat e tij nga një zonë në Podujevë.

Deklarimin rreth Remit, dëshmitari e bëri pasi sipas kërkesës së miratuar të martën në Gjykatën Speciale, mbrojtja e të akuzuarve po vazhdon sërish me kundërpyetje ndaj dëshmitarit, ndonëse pyetjet shtesë i ka përfunduar trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e kam pas autoritetin e tillë, faktikisht ai ka pas autoritet më të madh në zonën e tij, për çdo lëvizje të një komandanti që ka pas autoritet në atë zonë, ka qenë shumë problem për atë zonë dhe shtabin”, tha Zyrapi, pas pyetjes së avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq se pse nuk ishte në pozicion që të merrte masa kundër Remit.

Mishetiq tha se i duhen edhe dhjetë minuta për kundërpyetjet e tij pas pushimit të drekës.

Kurse, prokurorja Clare Lawson gjatë kundërpyetjeve u fokusua tek këmbëngulja e Rrustem Mustafës- Remit për të mos i tërhequr forcat e tij nga zona e Podujevës edhe pse një gjë e tillë i ishte kërkuar nga Shtabi i Përgjithshëm.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një kërkesë që Policia Serbe që të tërhiqeshin nga postblloqet.

“Sa e di ka qenë pas marrëveshjes së armëpushimit të njëanshëm që ata t’i heqin postblloqet dhe ne të largohemi prej rrugëve dhe të lëmë qarkullimin e lirë të rrugëve. Sa më kujtohet kjo ka qenë. Tash a është kjo për aty nuk po e mbaj mend”, tha Zyrapi.

Të ngjashme