Bislim Zyrapi i cili për një kohë ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, në rastin ku po akuzohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pyetur për disa dokumente të lëshuara nga Shtabi e shumica prej tyre të nënshkruar nga vetë ai.
Zyrapi është dëshmitar i prokurorisë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi. Ai ka shpjeguar të martën strukturën, hierarkinë dhe komunikimin mes Shtabit të Përgjithshëm me komandantët e Zonave dhe të Brigadave.
Në njërin nga dokumentet që iu prezantua Zyrapi tha se ka qenë urdhër për komandantët e zonave.
“E njoh, është dokumenti im, i nënshkruar nga unë, me vulë të Shtabit të Përgjithshëm. Është një urdhër i cili tregon se si referojnë apo raportojnë komandantët e zonave kur të vijnë në takimin në Shtab dhe çka duhet të përmbajë ai raport”, ka thënë ai.
Prokurorja Claire Lawson ia prezantoi edhe një dokument tjetër Zyrapit dhe i kërkoi që ta shpjegonte rolin e Shefit të Shtabit dhe Komandantit të Përgjithshëm.
“Këtu përmendet edhe komandanti edhe shefi i Shtabit, a mund të na e shpjegoni dallimin mes këtyre të dyjave, çfarë keni dashur të thoni?” ka pyetur ajo.
“Raportet e shumta kanë ardhur nga komandantët e zonave te shefi i shtabit të cilat janë përpunuar dhe dërguar te komandanti”, është përgjigjur Zyrapi.
Zyrapi tha se në kuadër të Shtabit ekzistonin 3 njësite: Batalioni Vëzhgues, Policia Ushtarake pranë shtabit të Përgjithshëm dhe kompania e logjistikës të cilat numëronin afro 300 anëtarë. Zyrapi shpjegoi rolin e Policisë Ushtarake pranë Shtabit.
“Policia Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm ka qenë ta ruajë Shtabin e Përgjithshëm, objektet e saj, ta përcjellë Shtabin e Përgjithshëm në çdo lëvizje në territorin e Kosovës dhe sa herë të lëvizë Shtabi. Kryesisht është siguria dhe ruajtja e Shtabit të Përgjithshëm”, ka thënë ai.
Ish-shefi i Shtabit u pyet edhe për një dokument i cili ishte nënshkruar nga komandantët e brigadave të zonës së Pashtrikut. Zyrapi tha se Shtabi komunikonte me komandantët e zonave, ata urdhrat i shpërndanin nëpër zona dhe nëse kërkohej, ato edhe nënshkruheshin nga komandat e brigadave si dëshmi që e kanë pranuar urdhëresën.
Gjithashtu, Zyrapit iu prezantua një dokument me anë të së cilit, ai kishte ndaluar arrestimet nga Njësia Speciale e Policisë Ushtarake.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me veprat “Krime lufte” dhe “krime ndaj njerëzimit”, për vrasje e ndalime të kryera në disa zona gjatë viteve 1998-99. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki funksionale, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave.