Shumë persona që mbajnë pozita në ministri të caktuara, marrin nga dy pensione nga skema pensionale e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, veç pagës bazë, raporton KTV.
Marrja e dyfishtë e pensioneve është e ndaluar me një udhëzim administrativ, por, pavarësisht kësaj, kjo ministri e ka lejuar një gjë të tillë. Disa zyrtarë publikë këtë e kanë deklaruar në të hyrat vjetore të agjencisë kundër korrupsionit.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përdor standarde të dyfishta, duke lejuar kështu që disa kategori të pensionistëve ta gëzojnë pensionin e disa të tjerave t’u mohohet kjo e drejtë.
Udhëzimi administrativ i nxjerrë nga ish-qeverisja e kaluar specifikon qartë se secili person duhet të zgjedhë një pension, por assesi nuk lejon që personi i njëjtë të marrë pension të dyfishtë.
Përjashtim këtu bëjnë vetëm invalidët e luftës të cilëve edhe u lejohet të punojnë dhe të marrin pensionin invalidor.
Kështu, ministria ka bërë shkelje të këtij udhëzimi administrativ kur e ka lejuar një gjë të tillë.
Për shkak të komplikimeve buxhetore ne jemi detyruar që të nxjerrim udhëzim administrativ i cili, përveç invalidëve të luftës të cilëve u lejohet edhe të punojnë edhe të gëzojnë pension, personave të tjerë nuk iu lejon marrjen e pensioneve të dyfishta”, ka thënë Arban Abrashi – deputet dhe ish-ministër i MPMS-së
Muhamet Gubetini i cili mban postin e drejtorit në Ministrinë e Bujqësisë, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar se nga buxheti i shtetit merr pagë dhe dy pensione tjera: atë invalidor dhe pensionin si ish-pjesëtar i TMK-së.
Po në këtë ministri, edhe një drejtor tjetër, Ali Buzhala, gëzon nga buxheti i shtetit edhe pension edhe pagë mujore.
Pagë dhe pension nga buxheti i shtetit gëzojnë edhe Elhami Hajdari i cili është kryeshef në këtë ministri dhe Fidan Dema nga Agjencia e Pyjeve.
Për Ministrin e Punës, Skender Reqica, moslejimi i marrjes së dy pensioneve për disa kategori të pensioneve është i padrejtë.
Reqica ka thënë se plotësimin-ndryshimin e këtij neni tashmë e kanë bërë, por ligji i njëjtë nuk ka kaluar në qeveri për miratim për shkak se mund të ketë komplikime buxhetore.
Tash së fundi, kjo ministri, me rekomandim të vazhdueshëm të auditorit, mori vendim që t’ua ndalojë pensionin e dytë ish-pjesëtarëve të TMK-së, gjë që ka ngjallur reagime të ashpra të këtyre të fundit.