Zyrtarë të MSh-së dhurojnë gjak në Ditën Botërore të Gjakut

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 10:05 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të Javës së Dhurimit Vullnetar të Gjakut, në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh) është organizuar aksion për dhurimin e gjakut, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti, ka ftuar qytetarët me shëndet mirë t’i bashkohen kësaj nisme e cila tashmë është bërë traditë në Kosovë.

“Kjo javë është java e dhurimit vullnetar të gjakut që shënohet me aktivitete të shumta në mbarë vendin të organizuar nga Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut dhe ajo që bie në sy është se ka gatishmëri të madhe të institucioneve dhe qytetarëve për sigurimin e rezervave të gjakut për të funksionuar më mirë Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut por edhe për të shpëtuar jetë atyre që kanë nevojë për ndihmë nga secili prej nesh”, tha Hoti.

Hoti tha se është dhurues aktiv i gjakut dhe se ndjehet shumë mirë që ka këtë mundësi. Ai njoftoi për aktivitetet e javës së dhurimit të gjakut.

“Unë jam dhurues i rregullt i gjakut, ndihem jashtëzakonisht mirë dhe i privilegjuar që më jepet kjo mundësi që të kontribuoj që dikush që ka nevojë për gjak ta ketë atë në momentet më të rëndësishme”, tha ai.

“Qendra Kombëtare ka organizuar aktivitete të shumta siç është në objektin e Ministrisë së Shëndetësisë, në ora 11 në sheshin “Nënë Tereza”në Prishtinë do të ketë dhurim vullnetar të gjakut nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës gjithashtu edhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës, aktivitete të ngjashme ka edhe në Ferizaj, Viti e komuna tjera që po e përmbyllim me sukses dhe po e forcon traditën për dhurimin vullnetar të gjakut”, tha ai.

“Për ne si dhurues është e rëndësishme të kemi gatishmëri ta shohim si një proces pozitiv dhe ta kuptojmë që secili person që gëzon shëndet të plotë dhe i takon moshës 18-60 vjeçar të mos hezitoj, por të bëhet pjesë e kontributit për shpëtimin e jetës”, shtoi Hoti.

Blerta Ahmeti doktorësh në Transfuzion të Gjakut, tha se nevojitet vazhdimisht që të ketë dhurim vullnetar të gjakut për të plotësuar nevojat e pacientëve.

“Grupi më i shpeshtë është grupi 0 pozitiv pastaj grupi A, B, AB gjitha këto grupe janë me faktorin Rh pozitiv dhe negativ, më të shpeshta janë pozitive”, tha ajo.

Ahmeti tha se grupet negative janë më të kërkuara dhe fton qytetarët të bëhen vullnetar të gjakut për të shpëtuar jetë, raporton EO.

“Kërkesat më të shpeshta janë për grupin 0 edhe dhurues janë më të mëdhenj, nevoja ka por ndonjëherë me grupet negative kemi mungesa dhe na duhet të aktivizojmë familjarët e tyre, por ia dalim”, tha Ahmeti.

Që prej vitit 2004 kjo datë shënohet me fushatë për dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetën e atyre në nevojë. Çdo vit më 14 qershor në shumë vende të botës organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”.

Të ngjashme