Zyrtarët amerikanë thonë se Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të nënshkruajnë marrëveshjen e tyre historike për normalizimin e marrëdhënieve gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator.
Zyrtarët thanë se delegacionet e larta nga të dy vendet ka të ngjarë të kryesohen nga Kryeministri Benjamin Netanyahu i Izraelit dhe Ministri i Jashtëm i Emirateve Mohammed bin Zayed, vëllai i princit të kurorës të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ceremonia do të vijë një muaj pasi marrëveshja për të vendosur marrëdhënie të plota diplomatike u njoftua më 13 gusht. Marrëveshja historike rezultoi në një fitore të rëndësishme të politikës së jashtme të Presidentit Donald Trump ndërsa ai kërkon një mandat të dytë, dhe pasqyron një Lindje të Mesme që po ndryshon në të cilën shqetësimet e përbashkëta lidhur me Iranin armiqësor kanë kapërcyer mbështetjen tradicionale arabe për palestinezët.
Zyrtarët, të cilët nuk ishin autorizuar për të diskutuar publikisht çështjen dhe folën në kushte anonimiteti, thanë se ceremonia do të mbahet ose në Lëndinën Jugore, në Kopshtin e Trëndafilave ose brenda, në varësi të motit.
Njoftimi u pasua nga fluturimi i parë i drejtpërdrejtë komercial mes Izraelit dhe Emirateve, vendosja e lidhjeve telefonike si dhe angazhimet për të bashkëpunuar në fusha të shumta.
Emiratet e Bashkuara Arabe po ashtu i kanë dhënë fund bojkotit ndaj Izraelit, duke lejuar tregtinë dhe shkëmbimet mesEmirateve të pasura me naftë dhe Izraelit, qendër e tregtisë së diamanteve, kompanive farmaceutike dhe kompanive teknologjike.
Palestinezët e kanë hedhur poshtë marrëveshjen. Emiratet e paraqitën marrëveshjen duke hequr nga tryeza aneksimin e planifikuar izraelit të pjesëve të pushtuara të Bregut Perëndimor. Kryeministri Netanyahu këmbëngul se pauza ishte e përkohshme./voa/