Zyrtarëve të lartë publikë do t’u mundësohet mësimi i gjuhës frënge, kjo falë një Memorandumi të Mirëkuptimit që Ambasada e Francës në Kosovë dhe Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nënshkruan të martën, raporton Ekonomia Online.
Protokolli i marrëveshjes për kurse të gjuhës frënge të nivelit fillestar të zyrtarëve të Kosovës 2020-2021, u ndihmon atyre gjithashtu edhe në njohjen me kulturën franceze në përgjithësi.
Drejtori i Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sabri Kiçmari me këtë rast tha se Franca mbetet vendi mik për qytetarët e Kosovës
Madje ai e ka vlerësuar se kjo është një mundësi e mirë për të gjithë diplomatët për të mësuar gjuhën frënge dhe për të ndjekur trajnime.
“Është një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe Francën nënshkrimi i marrëveshjes lidhur me kurset e gjuhës frënge për zyrtarë të Kosovës”.
“Franca ka qenë dhe mbetet një vend i dashur dhe vend mik për qytetarët e Kosovës. Përmes aktit të sotëm te bashkëpunimit ne po hapim një mundësi të mirë për të gjithë diplomatët për të mësuar gjuhën frënge dhe për të ndjekur trajnime”.
Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, tha se këto trajnime do të forcojnë administratën publike në Kosovë, raporton EO.
“Këta zyrtarë të lartë kosovarë do të mund të vazhdojnë të mësojnë gjuhën frënge në nivel më të lartë falë kësaj marrëveshje”.
“..këto aktivitete si tërësi do të kontribuojnë të përparojnë frankofoninë në Kosovë. Në të njëjtën kohë këto trajnime do të mund të përforcojnë administratën publike në Kosovë”.