Asociacioni i Komunave të Kosovës në bashkëpunim me programin e USAID-it, “Avancojmë Kosovën së Bashku” (AKT), Institutin e Kosovës për Administratë Publike dhe Komisionin Rregullator për Prokurim Publik (KRPP) filluan sot trajnimet për certifikimin e zyrtarëve komunal për Prokurim Publik.
Në bazë të nenit 25 të Ligjit për Prokurimin Publik, më 31 dhjetor 2016 përfundon vlefshmëria e certifikatave për prokurim publik.
Në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e prokurimit publik në nivelin komunal dhe në pajtueshmëri me Ligjin për Prokurim Publik, Asociacioni i Komunave të Kosovës pas daljes në pah të nevojave për trajnim, organizuan takimin e parë në fillim të vitit 2016 me zyrtarët komunalë të prokurimit rreth ndryshimeve në ligjin e ri të prokurimit.
Kryetarët e 38 komunave kanë dërguar në Komisionin Rregullator për Prokurim Publik aplikacionet zyrtare për trajnimin dhe certifikimin e dy zyrtarëve komunalë për prokurimin publik deri në fund të vitit 2016.
Trajnimi për këta zyrtarë zgjatë 15 ditë.
Në bazë të nenit 25 të Ligjit për Prokurimin Publik, zyrtarët komunal pas trajnimit do t’i shtrohen testit dhe në bazë të rezultateve edhe do të marrin certifikatë për kryerjen e aktiviteteve të prokurimit publik për tri vitet e ardhshme.