Zyrtarët Perëndimorë: Rusia qëndron pas një fushate sabotimi në të gjithë Evropën

Prishtinë | 21 Mar 2025 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarë perëndimorë kanë akuzuar Rusinë dhe përfaqësuesit e saj për organizimin e dhjetëra sulmeve dhe incidenteve të tjera nëpër Evropë që nga fillimi i agresionit në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Sipas të dhënave të mbledhura nga agjencia prestigjioze Associated Press (AP), bëhet fjalë për një fushatë të mirëkoordinuar të sabotimeve dhe aktiviteteve hibride.

Sipas të njëjtave burime, fushata e destabilizimit është vazhdimësi e luftës së presidentit rus Vladimir Putin, me synim përçarjen e shoqërive evropiane dhe minimin e mbështetjes ndaj Ukrainës.

AP ka dokumentuar 59 incidente në të cilat qeveritë evropiane, prokuroritë, shërbimet inteligjente apo zyrtarë të tjerë perëndimorë kanë fajësuar drejtpërdrejt Rusinë, grupe të lidhura me të apo aleatin e saj Bjellorusinë. Incidentet përfshijnë sulme kibernetike, propagandë të përhapur në rrjete, plane për vrasje, akte vandalizmi, zjarrvënie, sabotime dhe spiunazh.

Nga raste të dëmshme në dukje si bllokimi i marmitave të veturave me shkumë ekspanduese në Gjermani, deri te tentativa për vendosje të eksplozivëve në aeroplanë mallrash – gama e sulmeve është e gjerë.

Ato përfshijnë gjithashtu djegien e dyqaneve dhe muzeve, sulme ndaj politikanëve dhe infrastrukturës kritike përmes internetit, si dhe rrjete spiunazhi të zbuluara dhe dënuara si në Mbretërinë e Bashkuar.

Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Britanisë, Richard Moore, e ka përshkruar këtë fushatë si një “fushatë tejet e pamatur dhe e rrezikshme”.

Zbulimet e fundit nënvizojnë nevojën urgjente për koordinim të ngushtë mes vendeve evropiane në adresimin e kërcënimeve hibride që kanë për synim minimin e sigurisë, demokracisë dhe stabilitetit në kontinent.

Të ngjashme