Nga 16 deri në 40 për qind të pagës bazë do të jenë shtesat që do të përfitojnë zyrtarët policorë në rast se hyn në fuqi Projektudhëzimi Administrativ për shtesën e posaçme në pagë për rrezikshmëri të zyrtarëve policorë dhe punonjësve të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Në Policinë e Kosovës, në bazë të Projektudhëzimit që këtë javë ka dalë në konsultim publik, do të ketë nëntë nivele të rrezikshmërisë, shkruan sot Koha Ditore. Ndërkohë që për pjesëtarët e IPK-së ka vetëm një nivel dhe ai është i njëjtë për të gjitha pozitat të cilat, sipas këtij dokumenti, për rrezikshmëri do të përfitojnë 20 për qind të pagës bazë.
Në këtë projektudhëzim nuk është llogaritur kostoja totale e tij. Ndërkohë që në një llogaritje që thuhet se është bërë për nevoja të identifikimit të masës monetare lidhur me pagesën e shtesave mbi pagën bazë prej 20 për qind, për 99 pozita, vlera e shtesës është më e madhe se 174 mijë e 47 euro në vit.
Ky projektudhëzim është derivat i Ligjit për paga në sektorin publik, i cili është paraparë të hyjë në fuqi, në dhjetor të këtij viti. “Ky udhëzim zbatohet për të gjithë zyrtarët policorë, të cilëve mbështetur në ligj dhe në përputhje me pozitën/vendin e punës, sipas strukturës organizative të Policisë, u takon shtesa për rrezikshmëri, siç përcakton Ligji për Pagat në sektorin publik”, thuhet nenin 2 të këtij projektudhëzimi.