Zyrtari i BE-së i porosit të rinjtë prizrenas t’i zhvillojnë shkathtësitë që kërkohen në tregun e punës

Prizren | 11 Maj 2023 | 13:06 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të aktiviteteve në shënimin e Ditës së Evropës, Zyra e Bashkimit Evropian, të enjten ka diskutuar me të rinj nga Prizreni me temën “Shkathtësitë për të ardhmen”, raporton Ekonomia Online.

Para të rinjve prizrenas, Alessandro Biancardi nga zyra e BE-së, tha se nga 2007-ta janë angazhuar që të investojnë më shumë se 90 milionë euro në shumë fusha.

Ai shtoi se theks të veçantë në investime i kanë dhënë arsimit, duke ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve dhe për ndërtimin e shkollave e çerdheve.

Sipas tij, është koha që të reflektohen sa i përket zhvillimi të shkathësive që janë të nevojshme për tregun e punës dhe që ndihmojnë në zhvillim.

“Është koha që të reflektojmë edhe për shumë tema të tjera e sidomos ato që në fokus kanë zhvillimin e shkathtësive në Kosovë sepse dua të siguroj që gjeneratat në vijim do të disponojnë shkathtësitë të cilat janë të nevojshme për ndoshta edhe ndryshimet klimatike, digjitalizimin dhe po ashtu nga ana jonë jemi duke ndihmuar për shumë vite më radhë Kosovën për t’i adresuar të gjitha problemet dhe për t’i ngritur shkathtësitë të rinjve për të mbuluar atë zbrazësinë e cila mund të ekzistojë. Nga 2007-ta ne jemi angazhuar për të investuar më shumë se 90 milionë euro në shumë fusha”, tha ai.

“Ne punojmë edhe me nivelin qendror me Ministrinë e Arsimit për të zhvilluar programin e aftësimit, kurrikulen në shkolla dhe po ashtu edhe në infrastrukturë me MAShTI-n, duke ndërtuar shkolla, çerdhe dhe po ashtu të ndihmojmë disa pjesë të universiteteve dhe po ashtu po ndihmojmë për të rritur kërkesat në sektorin privat sepse duhet të jetë kompatabile në zhvillimin e shkathtësisë si pjesë e arsimit por për të siguruar edhe mundësitë brenda sektorit privat. Ne po ashtu e ndihmojmë sektorin privat që të zhvillohet në kapacitetet e tyre me kapacitete të fuqisë punëtore”, tha tutje ai.

Mimika Dobroshi, koordinatore e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë, tha se nga 2015-ta deri më 2022, më shumë se 5 mijë studentë janë shkëmbyer.

“Zyra jonë është formuar në 2015-ën dhe jemi kualifikuar që të marrim pjesë në programet si Kosova. Ky është program dhe nuk është projekt i Bashkimit Evropian dhe dallimi është që Qeveria jonë ka nënshkruar kornizën e bashkëpunimit ku kemi hapur dyert për studentët dhe të rinjtë nga Kosova që të aplikojnë dhe të marrin pjesë në programet e tilla”.

“Erasmus + nga viti 2015 ka ndihmuar sidomos në arsimin e lartë dhe me këto aktivitete afër 70 për qind të programit e fokusojmë në aktivitetet e mobilitetit, shkëmbimin e stafit akademik e administrativ të institucioneve të arsimit të lartë. Nga 2015 deri më 2022, më shumë se 5 mijë studentë kanë shkuar në institucionin e arsimit të lartë. Përveç pjesës së shkëmbimit është edhe pjesa e ndërtimit të kapaciteteve që e nënkuptojmë me projekte të cilat implementohet me partneritet që duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian”.

Nga Oda Ekonomike Gjermane, foli Blerta Hasani. Ajo tha se 200 kompani gjermane janë aktualisht anëtare në këtë Odë, të cilët kanë ardhur të investojnë në Kosovë.

“Duke marrë parasysh që Gjermania është një nga shtetet evropiane që ka investuar më shumë në Kosovë, Ambasada gjermane ka vendos që me krijuar Odën e vet në mënyrë që me pas kontaktin direkt me investitorin që ka interesin për me ardh me investuar në Kosovë dhe me i këshilluar ata për tregun në Kosovë”.

“Ne aktualisht i përfaqësojmë 200 kompani anëtare dhe kryesisht kompanitë anëtare janë gjermane që kanë ardh dhe kanë investuar në Kosovë por njëkohësisht janë kompani kosovare që e kanë interesin me u zgjeruar në tregun gjerman ose importojnë në Kosovë”.

“Fushëveprimin e kemi të gjerë sepse edhe kompanitë që janë në numër shumë të madh, janë multi-sektoriale por që i kemi dy shtylla kryesore që fokusohemi, që është pjesa e avokimit me institucionet publike dhe marrëdhëniet me Qeverinë por edhe kjo pjesa e këshillimit të investitorëve të huaj”.

Diskutime të tilla janë mbajtur edhe në Prishtinë e Mitrovicën veriore, ndërsa të premten do të diskutohet me të rinjtë nga Gjakova.

Të ngjashme