Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Michail Papagiannis, në cilësinë e shefit të financave në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, deklaroi se stafi vendor nuk ka pasur mundësi të aprovojë kontrata, por vetëm t’i iniciojë ato.
Në këtë rast, ish-zyrtarja e BE-së, Albina Nura akuzohet që i ka shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt i interesit”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Papagiannis tha se vetëm Zyra e BE-së është autoriteti i cili përmes të deleguarit nga Brukseli nënshkruan marrëveshje kontraktuale.
“Zyra e BE-së është autoritet kontraktues që përfaqësohet nga një zyrtar i autorizuar për nënshkrim. Këtij personi i nëndelegohen disa të drejta nga hierarkia në Bruksel për të nëshkruar kontrata, pra quhet zyrtar autorizues të cilit i delegohet detyra për të nënshkruar kontrata”, tha dëshmitari Papagiannis.
I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarës Nura, avokati Kujtim Kërveshi se a ka pasur mundësi Nura ose kushdo nga stafi vendor që të miratojë ndryshime buxhetore në Zyrën e BE-së ose të miratojë shtojca pa kontrollin administrativ dhe financiar nga Zyra e BE-së, shefat e sketorëve dhe zyrtarët në Bruksel, dëshmitari tha se aprovimin nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë, përveç se të iniciojnë dosjen.
“Jo, që ta aprovojë nuk ka pasur mundësi, që të iniciojnë, analizojnë, të përgatisin tërë dosjen dhe të vendosin të gjitha elementet aty për aprovim po, por që t’i aprovojnë këto dokumente nuk kanë pasur autorizim”, tha ai.
Iniciuesi i dosjeve, Papagiannis tha se është përgjegjës për to.
“Është një varg njerëzish brenda atij rrethi që e kontrollojnë, por është vetëm një iniciues, vëtëm një zyrtar që e inicon e i cili po ashtu është përgjegjës, pastaj për atë dosje”, shtoj tutje dëshmitari Papagiannis.
Edhe vetë e akuzuara Nura parashtroi pyetje se a ka mundur ajo apo dikush nga stafi lokal që të iniciojë një procedurë të tillë pa aprovimet paraprake prej menaxherëve. Pra, a ka pasur mundësi ta bëjë inicimin pa konsultime paraprake.
Ludhur me këtë, dëshmitari Papagiannis u përgjigj duke thënë se ashtu siç u shpreh paraprakisht, kjo nuk është e mundur.
“Siç e spjegova më herët, kjo nuk është e mundur sepse procedura inicohet nga menaxheri i projektit, por pastaj ajo dosje duhet të verifikohet”, u shpreh dëshmitari.
Dëshmitari Michail Papagiannis, në cilësinë e shefit të financave në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dëshminë në këtë rast e ka nisur më 6 mars 2025 dhe e vazhdoi më 7 mars 2025.
Aktakuza ndaj Nurës ishte ngritur më 18 maj 2021, në të cilën thuhet se ajo i kishte shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt i interesit”