Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka mbajtur konferencë për prezantimin e të gjeturave në kuadër të hulumtimit “Diversiteti dhe Barazia në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Zëvendëskryeministrja, Emilia Rexhepi, tha se prioritetet i Qeverisë është mbrojtja e të drejtave të njeriut, dialogu ndëretnik i të gjitha komuniteteve.
“Jam e përkushtuar për të drejtat e njeriut në shtetin tonë. Përshëndes të gjithë miqtë tanë, prezencën e BE-së dhe Avokati i Popullit. Nga pozicioni im më është dhënë një përgjegjësi e madhe në këtë mandat. Prioritetet i Qeverisë sonë është mbrojtja e të drejtave të njeriut, dialogu ndëretnik i të gjitha komuniteteve që jetojnë në shtetin tonë”.
“Pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës konsideroj që vlerat e llojllojshmërisë janë vlera për shtetin dhe është privilegj me pas një shoqëri të tillë me shumë, besime e religjione. Mbetet te ne të zbatojmë ligjet në institucionet publike e private. Të zhvillojmë shoqërinë tonë si një shtet normal pa konflikte e pa hapësirë për dhunë. Ky mobilizim i yni në çdo hallkë duhet të jetë i lidhur që t’i tregojmë botës se Kosova është shtet stabil për çdo qytetarë të saj. Shpreh përkrahje për të gjithë ju që jepni përkrahje për mbrojtje të të drejtave të njeriut”.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se çdo vit pranojnë mbi 1 000 raste të diskriminimit. Sipas tij, Kosova ka kornizë të mirë ligjore, por qalon në zbatim.
“Pas 6 vitesh kur është miratuar Ligji për mbrojtje ndaj diskriminimit nuk kam parë që është bërë ndonjë analizë e veçantë për të parë se si ka ndikuar ky në jetën e qytetarëve. Mendoj që jemi në një moment kur na duhet analizë e thellë se si ka ndikuar ky ligj në respektimin e të drejtave që qytetarët e Kosovës duhet t’i gëzojnë”.
“Pjesa e barrës kryesore bie mbi Qeverinë e cila duhet që mekanizmat që i ofron të jenë funksional. Ne jemi në një situatë të çuditshme kur flasim për një ligj shumë të mirë, themi që Kosova ka kornizë të mirë ligjore, por qalon në zbatim”.
“Diskriminimi ndodhë çdo çast por rastet e raportuara janë shumë pak. Zyra jonë pranon çdo vit mbi 1 000 raste të diskriminimit. Ne po qalojmë në fuqizimin e mekanizmave që e funksionalizojmë atë ligj”.
Luigji Brusa, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, zbatimi i të drejtave të njeriut është prej elementëve më të rëndësishme për integrimi në BE, raporton EO.
“Duhet të ju themi se të gjithë pjesëmarrësit që janë sot këtu janë partnerët tanë me të cilët po punojmë që të përkrahim të drejtat e njeriut që janë një prej elementëve me të rëndësishme për çfarë do lloji integrimi që është paraparë në BE”.
“Qasja në infrastrukturë, arsim, çështja e LGBTI, mbrojtja e gazetarëve janë disa prej pikave që ndërlidhen me promovimin e të drejtave të njeriut”.