Zyrtari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Mustafë Bajrami, ka mbrojtur arrestimin e 6 gylenistëve dhe deportimin e tyre në Turqi. Derisa Vetëvendosje e kishte kundërshtuar deportimin e tyre, ai ka thënë se mbështet institucionet e Kosovës, rrjedhimisht mbështet rrëmbimin e tyre.
“Unë mendoj se çdo veprim që cenon interesin tonë duhet të dënohet. Unë nuk besoj që ai vendim është marrë pa ndonjë përgatitje paraprake. Vlerësimi im se a kanë gabuar a jo do të jetë vlerësim mediatik. Unë ju besoj institucioneve të Kosovës. Qëndrimi ndaj rasteve të tilla më shumë është një pasqyrim i vizionit tim mbi qenësinë e shtetit dhe interesit të shtetit si tërësi”, ka thënë ai në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin.
Ai është shprehur se derisa Kosova dhe institucionet kanë marrë një qëndrim të tillë për rastin e gylenistëve, për të është i pranueshëm ai, përkundër që Vetëvendosje e ka kritikuar ashpër Qeverinë e atëhershme për depërtimin e gylenistëve.
Kujtojmë që drejtori i përgjithshëm i Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana dhe mjeku Osman Karakaja, ishin deportuar në vitin 2018 në Turqi.
Me arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, autoritetet vendase fillimisht e kishin revokuar të drejtën e qëndrimit e tyre në Kosovë e më pas ata ishin deportuar me urgjencë drejt Turqisë, në bashkëpunim me shërbimet turke të inteligjencës./Express