Një javë pasi që është mbajtur seanca e parë e legjislativit të ri, kryesuesi i seancës, njëherësh deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj seancës do të jetë më 10 gusht.
Por, këtë vendim koalicioni PDK – AAK dhe Nisma (PAN), e ka cilësuar si arbitrar, duke theksuar “se vendimi i kryesuesit dëshmon se ai, bashkë me partinë Vetëvendosje, janë të interesuar që ta thellojnë edhe më shumë bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe jo të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me grupet e tjera parlamentare”.
Mirëpo, vet Mikolluvci në një prononcim për Telegrafin iu ka bërë apel të gjithëve që të jenë prezent të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, sa i përket deklaratave të PAN-it, se vendimi i kryesuesit ka qenë arbitrar, Mikullovci i është përgjigjur, duke thënë se takimin me përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe arritjen e një dakordimi e ka kërkuar vet koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve.
“Unë po apeloj që të vinë të bëhen pjesë e seancës dhe që të formohen sa më shpejt institucionet”, ka shtuar ai.
Ndryshe, të enjten që e lamë pas, ishte ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilin pritej që të zgjidheshin organet e legjislativit të vendit.
Por, seanca ishte ndërprerë nga ana e kryesuesit të seancës, Adem Mikullovci, pasi që koalicioni më i madh në Kuvendin e Kosovës, kishte kërkuar shtyrje të seancës dhe nuk kishte propozuar emrin e kandidatit për shef të legjislativit të vendit.