Komisioni i Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës e ka iniciuar procedurën për dënimin e Dritës për shkak të fishekzjarrëve të hedhura nga tifozët e klubit gjatë ndeshjes së Superkupës së Kosovës kundër Prishtinës.
Drita e fitoi ndeshjen e Superkupës kundër Prishtinës me rezultat 2-1. Fidan Gërbeshi dhe Betim Haxhimusa shënuan për t’i siguruar këtë fitore Dritës. Ky rezultat është pranuar edhe nga FFK-ja.
Megjithatë, Drita do të dënohet për shkak se tifozët e klubit gjilanas kishin gjuajtur fishekzjarrë para ndeshjes, si dhe gjatë ndeshjes në minutën e 57-të. Për shkak të këtyre fishekzjarrëve, ndeshja u ndalua për 8 minuta. Për më tepër, tifozët e Dritës kishin ofenduar tifozët e Prishtinës.
Ndeshja ishte duke u mbikëqyrur nga zyrtarë të UEFA-s, të cilët do ta vlerësonin gjendjen e stadiumit dhe më vonë do të vendosnin nëse do ta licenconin stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” për mbajtjen e ndeshjeve ndërkombëtare. Vendimi pritej të bëhej zyrtar të martën në mëngjes, megjithatë ende nuk është publikuar asgjë nga UEFA.