Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, e ka përshkruar yllin e skuadrës së tij, Antoine Griezmann, si lojtarin më të mirë në botë, pas ndikimin që kishte francezi në ndeshjen e djeshme në Ligën e Kampionëve.
Në xhiron e dytë, të vlefshme për grupin A të Ligës së Kampionëve, Atletico Madridi u ndesh me Club Brugge në Wanda Metropolitano. Madrilenët e fituan këtë ndeshje në shtëpi me rezultat 3-1, ndeshje kjo në të cilën shkëlqeu Griezmann, përcjell Gazeta Express.
Sulmuesi francez ishte lojtari më i rëndësishëm në këtë ndeshje pasi që i shënoi dy gola, si dhe e asistoi golin e Kokes. Kjo performancë e Griezmannit ia siguroi Atletico Madridit fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve.
Griezmanni ishte përfolur se do të transferohej në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo vendosi të qëndronte në Madrid pasi që tha se i besonte projektit të klubit dhe trajnerit të tij, i cili tani e konsideron si lojtarin më të mirë në botë.
“Unë kam thënë edhe sezonin e kaluar dhe do ta them përsëri, për mua Griezmanni është lojtari më i mirë në botë”, ka thënë Simeone.
“Ai e ka fituar titullin e Evropa Ligës, Kupën e Botës, Superkupën e Evropës dhe dhe përfundoi në vendin e dytë në një ligë ku luajnë Barcelona dhe Real Madridi”.
“Ai është në një vend ku dëshiron të jetë. Ai vendosi të qëndrojë në Atletico dhe këto janë pasojat. Ai është duke e shijuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij”.