​Policia ende s’po i gjen 4 personat që vodhën thasë me para

Prishtinë | 06 Shk 2019 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Menjëherë pas grabitjes së armatosur që ndodhi të martën pasdite në filialin e një banke në dalje të Prishtinës, Policia e Kosovës ka arritur të gjejë veturën me të cilën ikën plaçkitësit nga vendi i krimit. Por, as 24 orë pas kësaj ngjarje, ende nuk janë identifikuar katër të dyshuarit. Policia thotë se nuk e dinë as për shumën e parave që janë vjedhur në thasët që po futeshin nga sigurimi në bankë.

Katër persona të maskuar, të martën, kryen një grabitje në filialin e një banke në Çagllavicë. Tre prej tyre, dyshohet se ishin të armatosur me armë të gjata.

E gjitha ndodhi, ndërkohë sa sigurimi i bankës po sillte para me thasë në objekt, rreth orë 15:00.

Grabitësit arritën të largohen nga vendi i krimit, me një veturë të tipit “Ford”, e cila u gjet gati dy orë pas plaçkitjes, në një fshat të Graçanicës – jo shumë larg filialit të “TEB Bankës” që ishte cak i vjedhjes me armë.

Megjithatë, deri më sot, Policia vetëm veturën ka arritur ta identifikoje e më pas ta gjejë, por jo edhe katër grabitësit.

Zyra për Media e Rajonit të Prishtinës ka konfirmuar për Gazetën Express, se Policia e Kosovës nuk ka identifikuar e as kapur ende të dyshuarit në fjalë.

“Po punohet për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve”, thuhet në një përgjigje të shkurtër me shkrim të Policisë.

Burime të Gazetës Express, tregojnë se hetuesit e policisë dhe Prokurorisë së Shtetit, mund te bien ne gjurmë të të dyshuarve në bazë të ekzaminimit të numrave identifikues të veturës “Ford” me tabela 01, me të cilën plaçkitësit u larguan nga Prishtina, pasi kryen grabitjen e armatosur. 

Ndërkohë që edhe ekipet e forenzikës, të martën, me tu gjetur vetura jashtë rrugës kryesore në fshatin në fshatin Uglare të Gracanicës, ka marrë mostrat që mund të çojnë në gjetjen e gjurmëve dhe identifikimin e grabitësve.

Nga ana tjetër, policia të mërkurën në raportin e tyre 24 orësh ka treguar se grabitja e djeshme ka kaluar pa ndonjë të lënduar.

Shuma e parave që janë vjedhur nga grabitësit me armë, sipas Policisë, ende nuk është e raportuar.

“Raportohet se katër të dyshuar të panjohur, të maskuar dhe të armatosur, kanë grabitur automjetin që transportonte paratë pronë një kompanie. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore. Nuk raportohet për të lënduar dhe as për shumën e parave të grabitura”, thuhet në raporton policor.

Grabitjet e armatosura janë shndërruar në fenomen shqetësues, gjatë muajve të fundit, në Kosovë.

Vetëm këtë javë, janë raportuar të paktën 4 raste në Polici të Kosovës.

Në dhjetor të vitit të shkuar, në Istog, një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë gjatë një grabitje të armatosur që ndodhi në një bankë të kësaj qyteze.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme