Sallat e spektakleve, koncertet apo diskotekat janë shënjestra të vazhdueshme të sulmeve, i tillë si ai që goditi të hënën në mbrëmje Mançesterin në përfundim të një koncerti të këngëtares Ariana Grande, më tragjiku në Britaninë e Madhe prej 12 vitesh.
– Masakër në një diskotekë të Stambollit-
Më 31 dhjetor 2016 në Stamboll një agresor i armatosur me një armë zjarri ka qëlluar mes turmës në diskotekën ”Reina” mbrëmjen e ndërrimit të viteve, ku 700 deri në 800 persona po festonin vitin e ri. 39 persona, përfshirë të paktën 20 shtetas të huaj u vranë dhe 65 u plagosën.
Dy ditë më pas, sulmi u mor përsipër nga grupi xhihadist i Shtetit Islamik (ISIS).
– Club gay në Orlando –
Më 12 qershor 2016, një shtetas amerikan me origjinë afgane i pajisur me një pushkë dhe një pistoletë hapi zjarr duke marrë disa pengje në “Pulse”, një club gay mjaft i frekuentuar në Orlando (Florida, jug-lindje) duke shkaktuar sulmin më tragjik që prej 11 shtatorit 2001 në SHBA, me një bilanc tragjik 49 të vdekur, 60 të plagosur.
Autori i masakrës Omar Mateen, i cili ishte betuar për besnikëri ndaj ISIS-it u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e rendit pas tre orë negociatash. Organizata xhihadiste mori përsipër autorsinë e sulmit.
– Masakra në Bataklan –
Më 13 nëntor 2015, një komando xhihadist dhe tre burra që mbanin të veshur rripa me eksploziv hynë me forcë në sallën e spektakleve në Bataclan, në mes të koncertit të grupit amerikan të rokut “Eagles of Death Metal”, duke vrarë 90 persona.
Agresori i parë u vra nga një polic dhe dy të tjerë hodhën veten në erë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e rendit.
Bëhet fjalë për sulmin më tragjik në mesin e akteve që u shënuan po atë ditë në Paris. Përveç sulmit në Bataklan, Franca përjetoi edhe disa akte kamikaze që kishin si objektiv bare dhe restorante në zemër të kryeqytetit, si dhe pranë stadiumit të Francës, në Saint-Denis. Me autorsinë e ISIS-it, këto sulme shënuan në total 130 të vdekur dhe 350 të plagosur.
– Koncert roku në Moskë –
Më 5 korrik 2003, një sulm i dyfishtë u regjistrua në hyrje të një koncerti rok mbi aerodromin Toushino në Moskë duke shkaktuar 15 të vdekur, përveç dy grave kamikaze dhe rreth pesëdhjetë të plagosurve. Rreth 20.000 të rinj ndodheshin në vendngjarje për të marrë pjesë në festivalin e përvitshëm të muzikës rok “Krylia”.
Sulmi nuk u mor përsipër nga ndonjë grup terrorist, por autoritet ruse fajësojnë rebelët separatistë çeçenë.
Disa muaj më herët, nga 23 deri në 26 tetor 2002, në teatrin moskovit në Doubrovka, 912 persona u morën peng nga rebelët duke parashtruar si kërkesë tërheqjen e trupave ruse të Çeçenisë. Pengmarrja përfundoi në sajë të një sulmi të forcave speciale, duke shkaktuar vdekjen e 130 personave, pjesa më e madhe të asfiksuar nga gazi i përdorur nga forcat ushtarake.
– Diskotekë në Bali –
Mbrëmjen e 12 tetorit 2002, një kamikaz shpërtheu një autoveturë të mbushur me 1.100 kilogram TNT dhe produkte kimike përpara Sari Club, një diskotekë në lagjen turistike në Kuta, zona më e frekuentuar turistike në Bali. Rreth njëzet sekonda më herët, një burrë aktivizoi jelekun me eksploziv në një restorant aty pranë, Paddy’s Bar. Në total, 202 persona nga 21 shtete u vranë, ku 88 ishin australianë, 38 indonezianë dhe 28 britanikë. Më shumë se 300 persona u plagosën disa me djegie të rënda.
Sulmi u mor përsipër nga Jamaah Islamiyah (JI), një rrjet islamik në Azinë Juglindore i lidhur me Al-Kaedën.