Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar për momentin se nuk ka kuptim mbajtja e procesit të dialogut me Kosovën në Bruksel.
Ai në një adresim për media në Beograd, pas vendosjes së reciprocitetit për targa, tha se pala kosovare “nuk i respekton marrëveshjet dhe i interpreton marrëveshjet sipas gjykimit të saj”.
“Unë nuk e shoh kuptimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës në këtë moment. E dini sa shumë bëj thirrje për hapjen e të gjithë kufijve, linjave administrative në rajon, sepse besoj se ekonomitë në rajon duhet të jenë të lidhura”, tha Vuçiq.
Presidenti serb gjatë ditës është takuar me emisarin special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, i cili ditë më herët qëndroi për vizitë në Kosovë.
“Unë bisedova me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, për krizën e rëndë në Kosovë. Unë do të informoj publikun për gjithçka që po ndodh në veri,” shkroi Vuçiq më herët në Instagram.