Në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë janë duke u trajtuar 1 100 raste të reja me kancer ose 5% më shumë se numri i rasteve në krahasim me vitin e kaluar.
Këtë numër kaq të madh të rasteve drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishaj po e arsyeton me faktin se këtë vit janë vonuar operacionet ose ekzaminimet tjera radiologjike dhe biopsitë për shkak të gjendjes me pandeminë.
Ai shpreson që deri në fund të vitit numri i të prekurve me këtë sëmundje të mos e kalojë shifrën prej 1 600.
“Në nëntë muajt e parë të vitit 2021 kemi regjistruar 1 100 raste të reja në krahasim me vitin 2020 është diku 4 deri 5% më shumë. Fakti që këtë vit ka më shumë është se vitin e kaluar kanë qenë disa shërbime të vonuara siç operacionet ose ekzaminimet tjera radiologjike dhe biopsitë. Në çdo shtete të rajonit kemi një ngritje 4%”.
“…kjo bënë që sëmundjet malinje të kenë një ngritje të numrit të rasteve të reja por në suaza të normales dhe presim që deri në fund të vitit kjo shifër të mos kalojë 1 600 persona të diagnostikuar me kancer për herë të parë që gati 5 vjetët e fundit ky numër sillet nga 1 400 deri në 1 550. Këtë viti do të jetë 1 600”, tha Kurtishaj.
Doktor Kurtishaj tha se prej fillimit të pandemisë numri i pacientëve me kancer të infektuar me Covid ka qenë 1 000, duke theksuar se asnjëri prej tyre nuk ka përfunduar me fatalitet.
“Kjo është sëmundje multi-faktoriale dhe ndikojnë faktor të ndryshëm në sëmundjet malinje. Kemi numër të pacientëve të infektuar me Covid dhe mund të kalojë shifrën prej 1 000 personave prej fillimit të pandemisë sidomos muajt e fundit. Mirëpo e mira e krejt kësaj është që këta pacient e kanë tejkaluar sëmundjen”.
“Në bazë të dhënave që kemi jo sidomos ato raste që kanë qenë tretman onkologjik edhe pse kemi pasur një kujdes të veçantë dhe një frikë sepse meqenëse pacientët me kancer dhe të infektuar me Covid kanë qenë në grupin e katër të më të rrezikuarve nga kjo sëmundje është menduar se do të përfundojnë me fatalitet po për fat të mirë nuk kemi pasur raste të tilla”.