Javën që lamë pas, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri të ditur se deri në fund të këtij viti, Kosova do të pranojë 1. 2 milion doza të vaksinës kundër Coronavirusit nga kompania Pfizer, pas arritjes së marrëveshjes me këtë kompani.
Edhe pse po bëhen gati një javë që nga nënshkrimi i marrëveshjes, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë informacione për këtë marrëveshje, as për kohën e mënyrën e furnizimit të vendit me këto vaksina.
Ministria e Shëndetësisë tha se ky proces ka hyrë në një dinamikë të re dhe se është duke u rritur intensiteti, duke theksuar se më 15 qershor pritet të fillojë zbatimi i Planit të Veprimit për vaksinimin në masë, për çka janë duke u bërë përgatitjet në Prishtinë dhe në të gjitha komunat e Kosovës.
“Sa u përket detajeve të kontratës, për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit, ato nuk mund të bëhen publike, ndërsa rreth aspekteve të vaksinimit, se si MSh e ka paraparë vaksinimin në masë, në ëeb faqen e MSh-së është i publikuar edhe Plani i vaksinimit në masë që pritet të nis me 15 qershor ku jepen detaje qoftë për resurset humane, hapësirat e reja për vaksinim, dinamikën, aspektet logjistike”, thuhet nga MSH.
Kosova javë më parë ka pranuar një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i. Aktualisht, po vaksinohen personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.
Deri më tani në Kosovë numri i qytetarëve që kanë marrë vaksinën antiCOVID-19 ka arritur në 74 mijë e 500. Për dallim nga Kosova, në Shqipëri janë vaksinuar deri më tani afro 800 mijë qytetarë.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka thënë se synon që deri në fund të vitit, të vaksinojë 60 për qind të popullatës së saj.
Kujtojmë se javëve të fundit në vend ka pasur rënie të numrit të rasteve të reja me Coronavirus, e po ashtu edhe i rasteve të vdekjes.
Infektologu Hamdi Ramadani, tha për Telegrafin se kjo rënie e rasteve, nënkupton se jemi duke shkuar drejt një stabiliteti me gjendjen epidemiologjike në vend.