Numri i turistëve arriti një rekord historik në gusht teksa Shqipëria u vizitua nga 1 milionë e 556 mijë shtetas të huaj brenda një muaj.Të dhënat janë raportuar nga INSTAT, sipas të cilit krahasuar me gushtin e vitit të kaluar numri i të huajve që vizituan vendin është rritur me 7.4 përqind.
Gushti përkon me pikun e sezonit turistik. Por sipas INSTAT, fluksi i vizitorëve të huaj ka qenë në rritje përgjatë gjithë vitit. Sipas të dhënave, në total për periudhën janar gusht të këtij viti, Shqipëria është vizituar nga 4 milionë e 870 mijë të huaj ose 10.8 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
INSTAT thotë se pjesa dërrmuese ose 96 për qind e të huajve që hyjnë në Shqipëri kanë ardhur për qëllime pushime, ndërsa pjesa e mbetur për arsye të tjera.
Por nga vijnë më së shumti të huajt që zgjedhin Shqipërinë për të bërë pushime?
Sipas INSTAT, në vend të parë renditen kosovarë. Në 8 muajt e parë të këtij viti Shqipëria u vizitua nga gati 1 milionë e 840 mijë kosovarë ose 15 për qind më shumë se viti I kaluar. Pas kosovarëve, renditen shtetasit e Maqedonisë së Veriut me 520 mijë vetë. Greqia dhe Italia mbajnë vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa në vendin e pestë dhe të gjashtë renditen mali I zi dhe gjermania.
Shumica e vendeve që kanë fluksin më të madh të turistëve në Shqipëri janë ato me popullsi shqiptare ose që kanë numër të madh emigrantësh shqiptarë. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e turistëve që raportohen si të huaj janë shtetas shqiptarë, të pajisur me dokumentet e vendeve ku kanë emigruar.