1.8 milion euro borxh për mbeturina, KMDK-ja mendon t’i dërgoj te përmbaruesi

Prishtinë | 22 Mar 2025 | 08:00 | Nga Ekonomia Online

1.8 milion euro është borxhi total që Kompanitë Rajonale të Mbeturinave i kanë Kompanisë për menaxhimin e deponive në Kosovë, ndërsa borxhliu më i madh është “Pastrimi” nga rajoni i Prishtinës. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryeshefi ekzekutiv i KMDK-së, Dardan Velija.

Ai ka thënë se Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë ka 1.25 milion euro borxhe, për çka i kanë dhënë afat deri më 7 prill. Si shkak i borxhit të madh, KMDK-ja është edhe në procedurë për t’i dërguar në përmbarim këto ndërmarrje.  

Kritika ka edhe për mënyrën se si e ka gjetur këtë kompani, duke thënë se është keqmenaxhuar për një kohë të gjatë.

“Borxhi total që nuk hyjnë të gjitha si ‘borxhe të këqija’ është rreth 1 milion e 843 mijë euro. Borxhliu më i madh fatkeqësisht është ndërmarrja ‘Pastrimi’. Kjo ndërmarrje na i ka mbi 1.25 milion euro që vazhdon të jetë për një kohë shumë të gjatë. Kohëve të fundit është rritur, sidomos duke filluar nga tetori e këtej. Kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me ndërmarrjen ‘Pastrimi’ dhe me aksionarë të kësaj ndërmarrje, por për neve është e papranueshme që një ndërmarrje publike t’i ketë një ndërmarrje tjetër publike shumë kaq të borxheve, sepse ne e kemi një mandat shumë të rëndësishëm për vendin. E kemi trashëguar një kompani të keqmenaxhuar për një kohë shumë të gjatë ku gjendja e deponive tona sanitare është e mjerë, e papranueshme për standardet që i kemi ne në ligjet tona e aq më pak për standardet e Bashkimit Evropian ku jemi duke u angazhuar që të ndryshojmë këtë gjendje”, ka thënë Velija.

Kryeshefi i KMDK-së ka thënë se nëse “Pastrimi” nuk e shlyen borxhin, do ta mbyllin portën për këtë ndërmarrje, siç kanë vepruar edhe në të kaluarën. Ka thënë se si shkak i gjendjes aktuale, janë detyruar të lidhin kontrata javore dhe mujore.

“Ne kemi pas disa raste edhe në vitet e shkuara edhe tani që e kemi mbyll portën për klientë që nuk kanë paguar. Ne ofrojmë shërbim, përderisa ne jemi ndërmarrje publike ne jemi në të njëjtën kohë edhe shoqëri aksionare dhe synimi i shoqërive aksionare është që të rritet vlera e kompanisë. Ne nuk ofrojmë shërbim për klientët të cilët nuk paguajnë. Kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me ‘Pastrimin’ dhe që një vit jemi duke bërë kontrata, dyjavore, njëmujore e tremujore, me negociata të vazhdueshme me ta, ku ata zotohen që do të paguajnë borxhin, të njëjtat fjalë i kemi edhe nga Komuna e Prishtinës që është aksionari më i madh por edhe nga komunat tjera, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur”, u shpreh Velija, teksa shtoi se i kanë dhënë edhe një afat të fundit për ta paguar borxhin.

“Afati i tanishëm është deri më 7 prill dhe ne pas kësaj date besoj se do ta mbyllim portën për ndërmarrjen ‘Pastrimi’ deri ta shlyej borxhin. E kuptoj që kjo do të jetë një goditje edhe për qytetarët dhe e di që mosaftësia e ‘Pastrimit’ për t’i larguar mbeturinat do të na godasë të gjithëve, mirëpo është një masë e domosdoshme për t’u siguruara që ne e rregullojmë sistemin që kjo situatë të mos përsëritet”.

“… jemi edhe në fazën e fundit të procesit përmbarimor dhe ne presim në çdo moment vendimin përmbarues për ndërmarrjen ‘Pastrimi’ dhe komunat aksionare dhe ndërmarrja duhet sa më parë të ulën dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për gjetjen e zgjidhjes së problemi. Është e pakuptueshme dhe e patolerueshme”, u shpreh Velija.

Imun nuk janë as kompanitë tjera të pastrimit. Gjendje thuajse të njëjtë është edhe ajo në rajonin e Ferizajt, veçse me një borxh më të vogël.

“Kemi probleme të ngjashme edhe me ndërmarrjen ‘Pastërtia’ e rajonit të Ferizajt. Borxhi i tyre tani ka arritur në 251 mijë euro, edhe me këtë ndërmarrje kemi kaluar në kontrata mujore dhe fati i njëjtë do ta gjejë edhe rajonin e Ferizajt, nëse nuk gjejnë zgjidhje mes tyre që të mbulohen borxhet”, deklaroi Velija.

Ekonomia Online ka tentuar disa herë të marr një qëndrim nga Kompania “Pastrimi”, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Të ngjashme