“Askush nuk po i sulmon serbët në veri të Kosovës” – kështu ka reaguar Qeveria e Kosovës ndaj kërkesës së Listës Serbe që kryeministri Albin Kurti ta ndalë “represionin”.
Edhe pse kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë – nuk ka ofruar ndonjë provë për represionin e përmendur, ajo ka paralajmëruar se nëse ai nuk ndalet, serbët, nisur nga 1 qershori, “do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”.
Këto paralajmërime janë bërë më 19 maj, në ditën kur Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.
Lista Serbe nuk ka saktësuar se çfarë do të thotë “mbrojtje me të gjitha mjetet”, por Verolub Petroniq, nga Qendra Humane në Mitrovicë, beson se ka shumë gjasa që të bëhet fjalë për protesta qytetare.
Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se autoritetet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme dhe “të mos krijojnë shkak” për trazira në veri të Kosovës.
Disa ligjvënës kosovarë, në anën tjetër, e cilësojnë paralajmërimin e Listës Serbe si kërcënim në adresë të autoriteteve të Kosovës.
Çfarë ka paralajmëruar saktësisht Lista Serbe?
Kryesia e Listës Serbe ka njoftuar se nga 1 qershori pjesëtarët e komunitetit serb do të mbrohen “me të gjitha mjetet kundër represionit të Qeverisë së Kosovës”, duke thënë se “pushtimi i veriut” ka filluar me marrjen e postit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
Si “represion”, Lista Serbe e sheh procesin e “shpronësimit në veri nga Qeveria e Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në atë rajon dhe ndjekjen penale apo arrestimin e serbëve nga autoritetet kosovare”, shkruan Radio Evropa e Lirë, përcjell Klankosova.tv
Atiq është një nga katër kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Ata i kanë fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme muajin e kaluar, pasi komuniteti serb i ka bojkotuar ato.
“Edhe ky pushtim, si çdo tjetër, ka fillimin dhe fundin e tij. Do të përfundojë kur ta duan serbët”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për gazetarë më 19 maj.
Ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se me çfarë mjetesh planifikojnë të mbrohen, por ka thënë se serbët kanë kohë që po përballen me “dhunë institucionale”.