10 të vdekur nga ortekët në Austri dhe Zvicër

Prishtinë | 05 Shk 2023 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

10 viktima janë shënuar nga disa ortekë në alpet austriake dhe zvicerane gjatë fundjavës.

Turistë nga Zelanda e Re, Kina dhe Gjermania janë mes viktimave të shënuara në disa vendpushime skish.

Autoritetet austriake vendosën një alarm të nivelit të katërt për ortekët pas reshjeve intensive të borës dhe erës në zonë.

Pavarësisht paralajmërimeve, vendpushimet e skive në Austrinë perëndimore janë mbushur plot për shkak të pushimeve shkollore në Vjenë.

Policia austriake njoftoi 5 viktima të dielën, duke përfshirë atë të një 59-vjeçari që po përdorte borëpastrues në rajonin perëndimor të Tirolit.

Ata gjetën gjithashtu trupat e një udhërrëfyesi skijimi në Sankt Anton am Arlberg dhe një 62-vjeçari i cili po bënte ski në rrugë rreth majës së Hohe Aifner.

Të shtunën, një 17-vjeçar nga Zelanda e Re, një shtetas kinez 32-vjeçar dhe një gjerman rreth të 50-tave, për të cilët thuhej se po bënin ski jashtë shtigjeve të përcaktuara u gjetën gjithashtu të vdekur nga ortekët.

Në Zvicër, një 56-vjeçare dhe një 52-vjeçar u vranë gjithashtu nga bora e paqëndrueshme në kantonin juglindor të Graubuenden të shtunën në mëngjes. Policia zvicerane tha se një anëtar i tretë i grupit të tyre arriti të shpëtonte.

Ortekët janë të zakonshëm në të dy vendet. Sipas agjencisë së lajmeve APA të Austrisë, vetëm të shtunën u raportuan 30 orteqe në rajonin e Tirolit. Alarmit i nivelit të katërt të Austrisë do të thotë “ka të ngjarë të ketë ortekë shumë të mëdhenj”. Ai këshillon skiatorët e papërvojë të qëndrojnë në pista dhe shtigje skish të hapura dhe për skiatorët me përvojë të qëndrojnë larg terreneve shumë të pjerrëta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme