Është vetëm 10 vjeç, por emri i tij ka pushtuar median botërore. Bëhet fjalë për notarin Clark Kent Apauda, i cili ka thyer një rekord botëror të vendosur nga legjenda amerikane e notit, Michael Phelps kur ishte në moshën e tij, një tjetër arsye kjo që ai të thirret ndryshe “superman”.
Clark Kent Apauda fitoi garën e 100 m stil flutur në kampionatin e U10 me kohën 1 minutë 9 sekonda e 38 të qindtat. Koha e tij ishte 5 sekonda më e shpejtë se e rivalit të tij më të afërt dhe më shumë se 1 sekondë se rekordi i vendosur nga i riu Phelps në vitin 1995. Për më tepër, Apuada që është pjesë e skuadrës Monterey County në Kaliforni i fitoi të 7 garat ku mori pjesë.
Ky rekord i 10-vjeçarit është një rezultat vërtet mahnitës duke qenë se vet Phelps me kalimin e viteve arriti të shndërrohet në notarin me më shumë medalje olimpike të fituara në historinë e notit. Apauda, pas përfundimit të kampionatit theksoi se objektivi i tij është që në të ardhmen të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, transmeton TCH.
Në të njëjtën kohë ai dha edhe një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e tij teksa theksoi se askush nuk duhet të dorëzohet dhe të heqë dorë nga ëndrrat.