As pas një dekade shtetbërjeje qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të mundë të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian (BE).
Kjo meqë Demarkacioni, si kushti kryesor për heqjen e vizave, ende nuk ka marrë epilog në mungesë të një konsensusi politik.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje sërish që të plotësohen dy kushtet e mbetura për heqje të vizave. Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë për “Zërin” se miratimi i Demarkacionit stopon izolimin e Kosovës.
Ndërkaq, gati një dekadë pasi kishte nisur të premtonte heqjen e vizave për qytetarët, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në dhjetor të vitit të shkuar dha alarmin se Kosova ka afat vetëm edhe 40 ditë për ta zënë hapin për liberalizimin e vizave.
Duke bërë thirrje që Demarkacioni të ratifikohej sa më parë Thaçi paralajmëronte për rrezikun që i kanosej Kosovës, ani pse vetë ai për tetë vjet rresht vazhdoi t’i premtonte vizat.
Ekspertët e çështjeve të integrimit e të liberalizimit vlerësojnë se Kosova tashmë ka humbur shumë kohë sa i përket këtij procesi. Sipas tyre, një gjë e tillë do t’i kushtojë mjaft shumë Kosovës.
E përderisa Qeveria zotohet se është duke punuar në këtë drejtim, pozita e opozita fajësojnë njëra-tjetrën për zvarritje të këtij procesi.