10 vjet nga vendimi i GjND për ligjshmërinë e pavarësisë, Basha nxjerr dokumentin: Koha për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Në 10 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për njohjen si të ligjshme të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, lideri i opozitës Lulzim Basha nxori në pah përpjekjet e Shqipërisë 10 vjet më parë për njohjen e këtij vendimi.

Zoti Basha ka publikuar një dokument nga koha kur ai ishte Ministër i Jashtëm, drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë 10 vjetor të fitores së kësaj beteje ligjore, lideri i opozitës bën thirrje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si shërbim për qytetarët dhe stabilitetin.

Ky mesazh u mirëprit gjerësisht gjatë vizitës zyrtare që zoti Basha pati në Kosovë në fillim të javës, ku përaqësuesit e të gjithë institucioneve dhe forcave politike të Kosovës i shprehën mirënjohjen dhe e falenderuan zotin Basha për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare gjatë kohës qê shërbente si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Deklarata e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha.

“10 vjet më parë GJykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sot është koha për njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo i shërben qytetarëve të dy vendeve, paqes dhe stabilitetit të rajonit.  Shqipëria në krah të Kosovës me diplomacinë e saj dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë 🇺🇸&🇪🇺, dha gjithçka për  shpalljen e pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Së bashku, në krah të njëri-tjetrit, do të përballojmë çdo sfidë e sigurojmë të ardhmen.”​



Të ngjashme