100 autobusë me serbë në zgjedhjet e Kosovës

Prishtinë | 11 Qer 2017 | 09:04 | Nga

Qeveria e Serbisë pritet t’i dërgojë mbi 100 autobusë të dielën me serbë të Kosovës që jetojnë në Serbi, për të votuar për Listën Serbe. Kjo do të jetë sprovë për sigurinë.

Si asnjëherë më parë që nga funksionimi i demokracisë parlamentare në Kosovë, prej vitit 2000 e këndej, kësaj radhe, në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, pritet të zhvillohet një betejë e ashpër politike dhe zgjedhore midis subjekteve që tubojnë politikanë serbë. Bëhet fjalë për garën për dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb.

Kjo është radha e dytë që aplikohet modeli i ulëseve të garantuara që mundëson ndarjen për komunitetin serbe të dhjetë ulëseve. Më parë, siç dihet, në dy mandate, pas zgjedhjeve të vitit 2007 dhe 2010, ka qenë në fuqi modeli i ulëseve të rezervuara që ishte më i favorshëm për komunitetet pakicë, sepse mundësonte që pos këtyre dhjetë ulëseve gjithsesi të sigurta, komunitetet pakicë të marrin edhe mandate shtesë të fituara drejtpërdrejt në zgjedhje.

Në zgjedhjet e para me mandate të garantuara, më 8 qershor të vitit 2014, Lista Serbe që ishte krijuar vetëm pak javë para këtyre zgjedhjeve, fitoi nëntë prej dhjetë mandateve të dedikuara për komunitetin serb, ndërsa një mandat i takoi subjektit të Nenad Rasic.

Por, duket që raporti i forcave politike ndër serbët e Kosovës ka ndryshuar, ose, duket që do të ketë një dyluftim midis Listës Serbe, të favorizuar në të gjitha mënyrat e mundshme nga Qeveria e Serbisë, dhe subjekteve të tjera serbe, mbi të gjitha SLS të Slobodan Petrovic dhe partisë së Aleksandar Jablanovic. Raporti i forcave realisht favorizon ende në këtë garë Listën Serbe, të cilën formalisht e udhëheq Slavko Simic, që ishte edhe Shef i Grupit Parlamentar të kësaj Liste në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Serbisë ka mobilizuar të gjitha kapacitetet politike, ekonomike dhe sociale, për t’i fituar të dhjetë mandatet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, sepse, në këtë mënyrë Presidenti Aleksandar Vucic synon të mbajë në fuqi ndikimin e tij përbrenda Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, shkruan politiko.net.

Llogaritet që janë diku njëzet mijë serbë të Kosovës që marrin paga nga Serbia, në sistemin paralel administrativ – gati 6000 mijë – dhe në sistemin e arsimit dhe shëndetësisë në Kosovës – gati 14000 mijë.

Ashtu siç ka ndodhur në zgjedhjet presidenciale në Serbi, kur të gjithë këta votuan për kandidatin e SNS, Kryeministrin Vucic, edhe kësaj here, Beogradi po bën gjithçka që të gjithë këta të votojnë për Listën Serbe, sepse në të kundërtën do të rrezikojnë të humbin vendin e punës.

Në anën tjetër, janë diku rreth 1900 votues në Serbi, serbë të Kosovës, që janë certifikuar, nga ana e KQZ’së në Prishtinë, për të votuar me postë. Pritet edhe këtu që të gjithë këta serbë të Kosovës, që jetojnë në Serbi, ta përkrahin Listën Serbe.

Megjithatë, këto dy veprime, dhe as një fushatë e egër kundër të gjitha subjekteve të tjera serbe që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit, nuk po shihen si të mjaftueshme në Beograd për t’i marrë të dhjetë mandatet.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme