Në 100 vjetorin e lindjes së studiuesit e mbledhësi i folklorit, pajtuesit të shqiptarëve, Anton Çetta, Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës është mjaftuar me një postim në rrjetin social “Facebook”.
“Shpresojmë që në këtë përvjetor jubilar, më në fund, të del në dritë botimi i kompletit të veprave të prof. Çettës, i përgatitur e përfunduar nga dega jonë me bashkëpunëtorë”, thuhet në postim.
Ky Institut prej më tepër se dy vjetësh po e mban peng nismën për vendosjen e shtatores së Çettës para objektit të vet.
Në një intervistë për “Koha Ditore”, në gusht të vjetëm vikari i përgjithshëm i Kishës Katolike të Kosovës, don Lush Gjergji pat thënë se nuk ka një falënderim as ndaj punës së tij e as ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve.
“Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve. Fatkeqësia është që nuk gjendet kurrkund e shënuar as në libra shkollorë. Fatkeqësia është se ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër, dhe të mirën po e zhvlerësojmë dhe po e harrojmë”, pa deklaruar imzot Lush Gjergji.
Ai pat thënë se i konsideron heronj të gjallë të gjithë ata që në emër të popullit falën gjakun e më të dashurve të tyre në fillim të viteve nëntëdhjetë. Shpreh keqardhje se ata njerëz janë lënë anash, megjithëse falja e rreth 1200 gjaqeve ndali vëllavrasjen në kohën kur regjimi brutal i Slobodan Milosheviqit nisi zbatimin e masave represive pas suprimimit të autonomisë. Gjergji, pjesë e Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, të prirë prej Anton Çettës, thotë se pa ndaljen e vëllavrasjes nuk do të kishin sukses as lëvizjet për liri.
Don Lush Gjergji është anëtar i Këshillit organizativ për vendosjen e shtatores së Çettës. Ai e përshkruan si zotni plakun e urtë që për dekada me radhë kishte mbledhur folklorin shqiptar. “Ishte një njeri i cili e donte mbi të gjitha popullin e vet dhe të mirën e popullit të tij. Prandaj do të thosha, një kirurg shpirtëror i mbarë popullit shqiptar”, thekson Gjergji. “Ishte ai i cili e hetoi, mbase më mirë se askush se kanceri më i madh i shoqërisë shqiptare është hakmarrja, siç e kam definuar unë, si vetëvrasje, vëllavrasje dhe vrasje”.
Ndryshe, Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës. Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.