Google po u jep punonjësve që punojnë nga shtëpia gjatë kohës së pandemisë COVID-19 nga 1000 dollarë shtesë, për të mbuluar kostot e pajisjeve.
Kjo është bërë e ditur nga drejtori ekzekutiv i kompanisë Sundar Pichai, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, CEO ende beson se puna në zyra ka vlerë dhe kompania nuk është e gatshme të braktisë “kampuset” e kompanisë.
Duke filluar nga 6 korriku, “duke supozuar se kushtet e jashtme lejojnë, ne do të fillojmë të hapim më shumë ndërtesa në më shumë qytete”, shkroi Pichai në një letër për punonjësit. “Kjo do t’i japë mundësinë punëtorëve të Google që të kthehen në zyrë”.
Dhe siç shkruan Forbes, përcjell Telegrafi, nga një numër i kufizuar i punonjësve do të kërkohet të kthehen në punën e zyrës këtë vit kalendarik dhe ata do të njoftohen deri më 10 qershor.
“Për të gjithë të tjerët, kthimi në zyrë do të jetë vullnetar deri në fund të vitit, dhe ne ju inkurajojmë që të vazhdoni të punoni nga shtëpia nëse mundeni”, citohet të ketë thënë ai.
“Sepse ne ende presim që shumica e Googlers do të punojnë kryesisht nga shtëpia për pjesën tjetër të këtij viti dhe ne do t’i japim secilit Googler një shtesë prej 1,000 dollarë amerikanë, ose vlerën ekuivalente në vendin tuaj, për të paguar shpenzimet e nevojshme”.
Edhe pse kompania planifikon një politikë më fleksibël për punën në të ardhmen, Pichai theksoi vlerën e një zyre të Google.
“Kampuset tona janë krijuar për të mundësuar bashkëpunimin dhe komunitetin – në fakt, disa nga risitë tona më të mëdha ishin rezultat i takimeve të rastësishme në zyrë – dhe është e qartë se kjo është diçka që shumë prej nesh nuk duan të humbasin”, ka shkruar më tej ai.