Kuvendi i Kosova ka miratuar Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas” – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë. Marrëveshja është miratuar me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se Projektligji synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e cilësisë së kujdesit në sistemin shëndetësor parësor, përmes financimit të butë nga mekanizmat e Banka Botërore, ku bën pjesë edhe IDA.
“Kjo marrëveshje kredisë ka vlerën prej 18.6 milionë euro dhe vjen me kushtet e buta të financimit me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), e cila është pjesë e Bankës Botërore. Me të cilat 25 janë vite maturimi, nga të cilat pesë janë grejs periodë (periudhë carëse), ndërsa 20 vite janë amortizim, me një normë interesi prej 0.64% vjetore.
Qëllimi kryesor i projektit është forcimi i kapaciteteve institucionale, si dhe rritja e cilësisë së kujdesit në sistemin shëndetësor parësor. Projekti ka tre komponentëz Komponenti i parë: mbështet forcimin e rrjetit ndërkufitar të sistemit shëndetësor, që përfshin përmirësimin, pajisjen me shërbime, zhvillimin dhe zbatimin e kornizës ligjore, forcimin e kapaciteteve institucionale, si dhe përgatitjen për reagime ndaj pandemive. Komponenti i dytë: mbështet zhvillimin e një sistemi të integruar informativ për shëndetësi, pra parashikon një sistem të ri spitalor, i cili ndihmon për përmirësimin e cilësisë së kujdesit. Komponenti i tretë: përfshin mbështetjen për menaxhimin dhe zbatimin e përgjithshëm të këtij projekti, duke përfshirë edhe vlerësimin dhe monitorimin”, tha ai.
