Së paku 15 civilë, përfshirë 11 fëmijë, vdiqën nga shpërthimi i një bombe gjatë një ceremonie të leximit të Kuranit të premten në pjesën qendrore të Afgansitanit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Tariq Arian, tha se nga të dhënat fillestare dyshohet se mjeti shpërthyes ka qenë i vendosur në një karrocë. Përpos të vdekurve, nga shpërthimi mbetën të lënduar 20 persona.
Zëdhënësi i guvernatorit provincial në Gazni, Ëahidullah Jumazada, tha se shumica e viktimave të sulmit të së premtes ishin nën moshën 18-vjeçare, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Sulmet përmes bombave të vogla magnetike, të cilat vendosen kryesisht nën vetura, po i frikësojnë zyrtarët qeveritarë, aktivistët dhe gazetarët, të cilët i fajësojnë talibanët për këto sulme.
Ndryshe, së paku 10 zyrtarë qeveritarë dhe ndihmës të tyre janë vrarë nga të ashtuquajturat “bomba ngjitëse” në javët e fundit. Shumica e viktimave janë shënuar në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.
Afganistani po vazhdon të goditet nga dhuna, ndonëse përfaqësuesit e qeverisë po zhvillojnë bisedime të paqes me talibanët që nga muaji shtator. Shtetet perëndimore kanë filluar t’i tërheqin trupat nga vendi i rrënuar nga lufta.