Më shumë se 11 mijë persona janë vaksinuar me vaksinën anti-COVID në Shqipëri deri tash, ka bërë të ditur të premten ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Manastirliu ka paralajmëruar shtrirje të vaksinimit në të gjithë territorin e Shqipërisë, teksa ka thënë se në dhjetëditëshin e parë të muajit mars pritet që Shqipëria të pranojë edhe mbi 14 mijë vaksina nga marrëveshja me COVAX-in. Pos tyre Shqipëria do të marrë dërgesën e radhës nga ‘Pfizeri’, ka paralajmëruar ajo.
“Vijojmë vaksinimin në Arenën Kombëtare me stafet mjekësore. Do të vijojmë edhe të shtunën e të dielën me stafet mjekësore dhe të moshuarit mbi 80 vjeç, sipas fashave. Janë rreth 11 mijë vaksinime të kryera deri tani, ndërsa vijojmë të zgjerohemi në territor, duke hapur sot qendrën e vaksinimit në Kukës dhe brenda javës, në Korçë”, është shprehur ajo. “Javën tjetër do të vijë dërgesa e radhës nga ‘Pfizer’. Me ardhjen e vaksinave, sipas kalendarit të kontratës që kemi lidhur me ‘Pfizerin’, ditën e hënë do të vijojmë të intensifikojmë dhe të shtrijmë në vijim vaksinimin. Gjithashtu pritet që në 10-ditëshin e parë të marsit, të kemi edhe një dërgesë të parë nga kontrata me Covax-in. Janë planifikuar rreth 14,400 doza, të cilat priten që të vijnë nga kjo marrëveshje e lidhur dhe e parapaguar nga qeveria shqiptare”.
Kohëve të fundit në Shqipëri ka pasur rritje të rasteve të reja. Për këtë, mjekët shqiptarë të diasporës kanë dhënë alarmin se Shqipëria po kalon atë që e kaloi Lombardia në Itali një vit më herët, me situatën që po vazhdon të rëndohet. Për këtë qëllim, doktoresha Elona Cekani në Zvicër dhe disa kolegë të tjerë i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta dhe krerëve të shtetit me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit, të kontribuojnë në zbatimin e masave anti-Covid. Letra është firmosur nga 440 mjekë nga diaspora dhe nga Shqipëria.
Deri tash në Shqipëri janë regjistruar 68 mijë të infektuar, ndërsa 1756 persona kanë humbur betejën me virusin.
Teksa Shqipëria po vazhdon me vaksinime, Kosova ende është në pritje të dozave të para. Edhe pse autoritetet ishin zotuar se në shkurt do të nisë vaksinimi dhe një gjë e tillë ishte thënë edhe nga programi i COVAX-it, kjo gjë ende s’ka ndodhur. Madje s’ka as përgjigje nga institucionet se kur mund të nisë një gjë e tillë.