Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit ka publikuar raportin hulumtues “Korrupsioni në prag të parashkrimit”, raporton Ekonomia Online.
Sipas këtij raporti, IKD ka identifikuar rastet ndaj 11 personave të akuzuar për korrupsion, të cilat rrezikojnë të parashkruhen gjatë vitit 2021. “Shtatë nga ta janë persona të profilit të lartë dhe rastet e tyre do të parashkruhen deri më 20 janar 2021”, thuhet në raport.
Tutje, sipas raportit, IKD ka identifikuar edhe rastet e 12 personave të tjerë, 6 të cilët janë të profilit të lartë, të cilat nëse nuk marrin një aktgjykim përfundimtar në vitin 2023, mund të parashkruhen pa një vendim përfundimtar.
Aty u tha se përgjatë viteve 2015-2019, Gjykatat Themelore kanë zgjidhur gjithsej 1 069 raste të personave të akuzuar për korrupsion, ndërsa gjatë kësaj periudhe kohore, Gjykatat Themelore janë parashkruar aktakuzat ndaj 50 personave.
Leotrim Gashi hulumtues i lartë në KDI, ka prezantuar raportin me të gjetura, ku tha se parashkrimi i lëndëve po zvarrit aktgjykimin përfundimtar.
“Parashkrimi apo vjetërsimi paraqet situatën kur për shkak të afatit që ka kaluar nga koha e kryerjes së veprës penale, shteti apo institucionet e sistemit të drejtësisë e humbin të drejtën për të hetuar apo gjykuar një person te caktuar për një vepër të supozuar penale”.
“Krahas rasteve të cilat rrezikojnë të parashkruhen gjatë vitit 2022, IKD ka analizuar arritjen e afatit të parashkrimit edhe në rastet tjera gjyqësore të korrupsionit. 12 persona të akuzuar për korrupsion, do t’u parashkruhet në vitin 2023, ku bëjnë pjesë gjashtë persona të profilit të lartë, raste të cilat mund të mbyllen pa një aktgjykim përfundimtar”, tha ai.
Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, tha se prioritet i gjyqësorit është luftimi i korrupsionit dhe kjo nuk ka mbetur vetën si retorikë, por që është shndërruar në veprime konkrete.
“Nga perspektiva e gjyqësorit, padyshim si etikë është rritja e besimit të publikut dhe një pyetje që parashtrohet shpesh është sesa ky besim apo mosbesimit është me fajin e gjyqësorit apo është i ndërlidhur me faktorë tjerë”.
“Shpesh herë ndodh që i faturohet gjyqësorit me apo pa të drejtë. Prioritet i gjyqësorit është luftimi i korrupsionit dhe kjo nuk ka mbetur vetën si retorikë, por që është shndërruar në veprime të KGjK-së, të cilat mund të vërehen se kemi një dinamikë më të lartë të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënia është epiqendër e KGjK-së”, tha Maliqi.
“… KGjK ka miratuar rregulloren e re të vlerësimit të gjyqtarëve dhe së bashku udhëzuesin specifik dhe pastaj format e vlerësimit, ku janë përfshirë kritere të qarta për performancës së gjyqtarëve, ku është hapur një derë që përmes performancës të bëhet edhe vlerësimi i tyre”, tha ai.
U.d i kryetarit të Gjykatës së Apelit, Afrim Shala, ka përmendur disa arsye që kanë bërë të parashkruhen rastet gjyqësore në Kosovë, raporton EO.
“Një çështje që ka të bëjë me parashtrime të lëndëve, është numër i madh i lëndëve me të cilat kanë qenë të ngarkuar gjyqtarët, pastaj mosplotësimi i vendeve me anëtarë dhe me staf profesional, dhe mendoj që kjo ka ndikuar që të arrijnë afatin e parashkrimit, moskordinimi i duhur ndërmjet institucioneve, dhe në këtë drejtim mendoj që një koordinim i mirë ndërmjet Gjykatave dhe institucioneve tjera do ta parandalonte parashkrimin”.
“Mandej një arsye tjetër është edhe arratisja e të pandehurve, për shkak se edhe vet si gjyqtar i shkallës së parë kam pasur raste kur ka qenë i pamundur që të përfundojnë procedurat për shkak të arratisjes së të pandehurve edhe jashtë Kosovës”, tha ai.