Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 11 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 156 zjarrfikës me 18 automjete, 10 forca vullnetare, 78 forca të ushtrisë, si dhe helikopterë.
Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën nën monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre të njoftojnë menjëherë në numrat 112, 129 dhe 128.
Qarku Gjirokastër – Në fshatin Luzat, bashkia Tepelenë, u rindez përsëri vatra e zjarrit e shuar para dy ditësh. U ndërhy me forca të zjarrfikëses dhe personel të ushtrisë duke shuar plotësisht flakët. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 0,4 ha me shkurre e ferra, kurse rreth 3 ha janë përshkuar nga zjarri.
Në fshatin Alipostan, bashkia Përmet, ra zjarri në një ndërtesë të pabanuar në pronësi të një shtetasi. Zjarrfikësit me mjete kanë ndërhyrë duke shuar flakët. Si pasojë u dogj banesa, 1 ha me shkurre dhe pyll lisi, si dhe rreth 25 pemë frutore. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Qarku Lezhë – Në fshatin Malaj, bashkia Mirditë u rindez përsëri zjarri i rënë në pyllin me pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve e forcave pyjore shkuan 30 forca ushtarake, të cilët së bashku me helikopterin, arritën të shuajnë zjarrin plotësisht. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre e ferra.
Në fshatin Shebe, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë vënë zjarrin nën kontroll. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me pyll pishe.
Qarku Elbasan – Në malin e Vinës, Kodovjat, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu dhe lisi. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me pyll ahu dhe lisi.
Në fshatin Fikas, bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe 10 rrënjë ulliri.
Qarku Fier – Në fshatin Visokë, bashkia Mallakastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe mjeteve është bërë e mundur shuarja e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,8 ha me shkurre dhe rreth 200 rrënjë ullinj.
Në fshatin Shëqishtë, bashkia Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, pemë frutore dhe ullinj. forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,5 ha me shkurre, 30 rrënjë ullinj dhe disa pemë arra, në pronësi të shtetasve.
Qarku Durrës – Në fshatin Mallkuç, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve me mjete është shuar zjarri. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj në pronësi të një shtetasi.
Qarku Tiranë – Në kodrën mbi Liqenin e Kasharit, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll të shkurtër. Në vendngjarje kanë ndërhyrë dhe forca ushtarake me mjete rrethanore deri sa zjarri është shuar plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pyll të shkurtër.
Qarku Korçë – Në fshatin Fitore, bashkia Devoll, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me bazë ushqimore. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe vogël me bazë ushqimore.