Një kompani është gjobitur me 1 mijë euro, ndërsa drejtuesi i kamionit me 100 euro, pasi kanë ndotur rrugën në fshatin Landovicë të Prizrenit, duke mos i pastruar rrotat e automjetit para se të dilnin nga një terren me baltë në rrugën e asfaltuar.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është evidentuar më 25 nëntor, gjatë patrullimit të rregullt të zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Prizren-Veri.
“Gjatë patrullimit të rregullt në fshatin Landovicë të Prizrenit, zyrtarët policorë të Stacionit Policor Prizren-Veri, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kanë vërejtur ndotjen e rrugës të shkaktuar nga një kamion në afërsi të një vendpunishteje”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk kishte pastruar rrotat e automjetit para se të dilte nga terreni me baltë në rrugën e asfaltuar, duke ndotur rrugën dhe rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.
“Për këtë shkelje, personit juridik, përkatësisht kompanisë pronare të kamionit, i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 1,000 euro, ndërsa drejtuesit të kamionit 100 euro”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për identifikimin, parandalimin dhe ndalimin e dukurive që bien ndesh me ligjin dhe rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe jetën e qytetarëve.