Historiani gjerman, Peter Bartl, nga universiteti i Mynihut, për dhjetëra vite me rradhë ka bërë hulumtime e studime historike për Shqipërinë, mes të cilave, së fundi “Albania Sacra” për të cilin thotë: “Kam qenë shumë gjatë në arkivin e Vatikanit në Romë dhe prej aty vjen punimi me dokumentat arkivore kishtare, që përmbajnë shumë edhe mbi historinë jo vetëm kishtare, por edhe laike të shqiptarëve…”
Në një intervistë dhënë radios DW në Gjermani, Bartl pyetet ndër të tjera për rishikimet e historisë shqiptare, nëse ajo ka nevojë për të përmirësuar diçka.
Bartl, i cili është nderuar në Tiranë me çmimin “Medalja e Mirënjohjes” nga Presidenti, ndër të tjera thotë:
“Për shembull sundimi turk paraqitej gjatë sundimit komunist, ashtu si edhe më përpara, si koha më e errët e Shqipërisë, gjë që nuk është krejt e drejtë dhe po punohet për ta korigjuar. Një pushtim, që zgjat 450 vjet, nuk është më pushtim. Shqiptarët ishin pjesë përbërëse e perandorisë osmane. Ata kishin edhe pjesën e tyre në historinë osmane.
Ky përfaqësim ishte i madh në proporcion me numrin e popullatës shqiptare. Më shumë se 30 vezirë të mëdhenj ishin me origjinë shqiptare. Pastaj shqiptarët kanë qenë të përfaqësuar shumë në ushtrinë osmane. Ata kanë luajtur pa dyshim një rol dhe sipas mendimit tim është e gabuar që këto 450 vjet të fshihen nga historia e Shqipërisë dhe të bëhet, sikur shqiptarët s’kanë bërë asgjë tjetër, veçse të shkundnin nga vetja sundimin turk. Kjo ka qenë kështu vetëm pjesërisht”.
Por si erdhëm deri te ajo që Bartl e quan “përfaqësim i madh”?
Në librin me titull “Kronikat e Tursun beut” jepet për herë të parë në gjuhën shqipe ajo që ka ngjarë në Ballkan e në Shqipëri në kohët e para të sundimit otoman (shek XV) nën këndvështrimin e literaturës zyrtare të perandorisë.
Autori rrëfen për ngjarje që i ka parë me sytë e vet dhe dëshmitë e tij rrëzojnë tezën e një pjese të historiografisë europiane, sipas së cilës konvertimi i ballkanasve në fenë islame është bërë për motive pragmatiste.
Në të vërtetë është ushtruar dhunë e fortë. Ja disa fragmente të librit botuar nga DITA:
“…Arsyeja e kësaj fushate të dytë në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca.
(…) Ata derra u nënshtruan dhe e pranuan zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit.
(…) Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, i ekzekutonin.
(….) Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si kodra.
(…) Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë.
(…) Të shtyrë nga frika, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme”.