Dje doli para gjykatës, a e tha ndonjë fjalë 26 vjeçari i dyshuar për dhunimin e së miturës?

Prishtinë | 30 Gus 2022 | 07:46 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Ekrem Rexhepit, si njëri nga pesë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçe. Gazeta Express merr vesh se 26-vjeçari kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje.

Vajza e mitur dyshohet se u dhunua nga pesë persona të shtunën në Prishtinë, njëri prej të cilëve ndodhet në arrati.

Bazuar në deklaratën e viktimës ngjarja e trishtë ka nisur në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion të panjohur. Sipas policisë, dhunimi seksual ka zgjatur rreth shtatë orë.

Dy nga katër të arrestuarit, janë vëllezër mes vete.

Vëllezërve ua ka caktuar gjykata nga një muaj paraburgim, të hënën.

Personi që ndodhet në arrati është kërkuar në shtëpinë e tij, por nuk është hasur, ka njoftuar policia.

“Lidhur me rastin e “ dhunimit” policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjet në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor”, ka njoftuar policia në mbrëmjen e së hënës.

Prokuroria në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj 26-vjeçarit, përshkruan sesi ka ndodhur dhunimi i së miturës.

“Përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të.

Për ngjarjen që tronditi Kosovën është thirrur edhe protestë. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të mërkurën do të protestojnë duke nisur nga ora 12:00. Protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Aty do të kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit, si dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray). 

Të ngjashme