Sot 12 vjet më parë u vranë dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, ndërsa mbi 80 të tjerë u plagosën gjatë protestës të cilën VV e organizoi kundër negociatave me Serbinë dhe kundër pakos së Ahtisarit.
Në këtë ditë, sot kanë bërë homazhe familjarë dhe aktivistë të VV-së.
Shaban Xheladini, babai i të vrarit, bën thirrje ndaj Qeverisë që të gjejë ata që vranë dy nga aktivistët dhe që plagosën më shumë se 80 të tjerë në 10 shkurtin e vitit 2007.
“Deri më tani Qeveritë tona kanë ra në gjumë dimëror dhe nuk kanë marrë kurrfarë hapi për të gjetë kriminelët që i rrahën dhe ushtruan dhunë mbi 80 njerëz. Dëmet e shkaktuara në njerëz nuk i bëjnë përshtypje Qeverisë sonë. Djemtë tanë nuk konsiderohen si mbrojtës të Kosovës, bile ish kryetari Hashim Thaçi para disa vitesh u vu në mbrojtje të policëve rumunë i cili tha se ata nuk i vrau policia rumune por LVV”.
Sipas tij, policët e UNMIK-ut, kriminelë siç i quan ai, nuk janë gjetë ende edhe pas kaq kohësh.
“Jetën ia mori unmiku përmes kontigjentit të policisë rumune. Protesta ishte paqësore ndaj planit të Ahtisarit që parashihte zgjidhje për të ardhmen e Kosovës që ishin jo pak por shumë të dëmshme. Këto zgjidhje po shihen tash sa na kanë bë dëm. LVV e pa këtë rrezik”.
“Arbeni që nga mosha 9 vjeç kur e kishte pa dhuënn e policisë që ka ushtruar kundër studentëve që çoheshin kundër të padrejtave që bëheshin ndaj shqiptarëve, prej atëherë ai më nuk është ndalë. Ka marrë pjesë në çdo tubim të rinisë e studentëve që çoheshin në interes të shqiptarëve dhe mbrojtjes së Kosovës. Ka qenë në ballë të protestave edhe pse ishte i vogël”.