Presidenti Xhorxh W. Bush është bërë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që viziton Shqipërinë.
Ai 13 vjet më parë, pikërisht më 10 qershor të vitit 2007 dhe bashkëshortja e tij, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha.
Më pas presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiu. Presidenti shqiptar Moisiu i dha presidentit Bush dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit”, për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.
Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.
Presidenti po ashtu tha, se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, për pavarësi të mbikëqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën.
Ai tha se do të punojë për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë.
Bush tha se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.
“Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire,” tha presidenti amerikan.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush ka folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.
“U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë,” tha Bush. Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.
“Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike,” tha ai.
Bush takoi në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit, Bush doli, jashtë protokollit, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe takoi shumë qytetarë entuziastë. Presidenti amerikan George Bush ka mbërritur në Tiranë në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri, raporton Tch.