Perëndimi dhe Kosova

Prishtinë | 17 Qer 2024 | 10:38 | Nga Blerim Shala

Kosova është storie suksesi.

Kjo është fjalia që më së shpeshti u përmend dhe u tha javën e kaluar, kur në Kosovë u shënua 25 vjetori i çlirimit.

Madje, ajo ishte edhe kryeprorosia e ish-Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair dhe e ish-Sekretarit të Mbrojtjes së Qeverisë së Blair-it, George Robertson-it  (i cili më pas do të bëhet edhe Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike), gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Qeveria e atëhershme e Britanisë së Madhe, (e viteve të luftës në Kosovë pra) pati luajtur një rol të madh në krijimin e rrethanave politike, diplomatike dhe ushtarake për organizimin e Konferencës paqësore në Rambouillet  (shkurt, mars, 1999), dhe për fillimin e fushatës ajrore të Paktit NATO.

Për më shumë, Blair dhe Robertson nënvizuan sërish që ky vendim  (për lansimin e kampanjës ajrore të Paktit NATO), ka qenë i drejtë, apo që kjo mund të thuhet edhe nga pikëshikimi i sotëm.

Nuk ka dyshim që vlerësimi për një zhvillim kaq dramatik, çfarë ka qenë lufta e Aleancës Veri-Atlantike për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga shfarosja e synuar nga forcat e shumëllojta serbe në luftën e viteve 1998, 1999, nuk mundet të pësojë ndryshime me kalimin e kohës, sepse pas përfundimit të Luftës së ftohtë, në Evropë së paku, nuk ka pasur rast më të qartë dhe më të drejtë për ta bërë këtë intervenim ushtarak.

Pastaj, në krahasim me të gjitha rastet e tjera në Evropë  (dhe më gjërë), kur Perëndimi, që prej përmbylljes së Luftës së ftohtë e këndej, ka qenë i përfshirë në ndërmjetësim politik dhe diplomatik, si dhe në përdorim të forcës ushtarake, Kosova njëmend është rrëfimi më i suksesshëm i Perëndimit. Dikush madje do të mund të shtonte këtu që Kosova është shembulli i vetëm i suksesit të Perëndimit.

Ky qëndrim na bashkon neve si kosovarë dhe kryeqendrat e Perëndimit, veçmas nëse gjithë ajo çfarë ndodhi një çerek shekulli më parë në Kosovë, këqyret dhe analizohet nga pikëvështrimi i sotëm ndërkombëtar.

Është thënë dhe shkruar shumë shpesh viteve të fundit  (veçmas pas fillimit të luftës në Ukrainë, në vitin 2022, dhe pas asaj në mes të Izraelit dhe Palestinës, vitin e kaluar), që Evropa dhe Bota e sotme janë diametralisht ndryshe nga ato të para 25 viteve.

Çlirimi i Kosovës në vitin 1999 koincidoi me shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Aleancës Veri-Atlantike dhe me pikën më të lartë të fuqisë politike, diplomatike dhe ushtarake të Perëndimit që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore  (1945).

Po të mos ishte kështu, apo, sikur edhe atëherë në Evropë dhe në Botë do të mbizotëronin rrethanat përafërisht të njejta si këto të sotmet, çlirimi i Kosovës dhe krijimi i shtetit më pas, do të mbeteshin vetëm një ëndërr e një populli, i cili me gjasë, do të ishte shpërndarë pikë e pesë në të katër anët e Botës.

Edhe ky vlerësim me siguri është i njejtë si këtu tek ne, ashtu edhe në kryeqendrat kryesore të Perëndimit.

Për më tepër, duket që në analizat dhe vlerësimet e Tony Blair-it dhe të Lordit Robertson, të cilat na u drejtuan javën e kaluar në Prishtinë, pati edhe ngjyrime evidente nostalgjike, çfarë me gjasë shfaqen edhe te politikanët dhe diplomatët e tjerë të asaj kohe.

Nostalgjia del natyrshëm në shesh këtu, në këtë rast, kur bëhet analiza krahasimtare në mes të fuqisë, vendimmarrjes dhe ndikimit të Amerikës dhe Evropës në vitin 1999, në rastin e Kosovës, dhe në vitin 2024, në rastet e Ukrainës, Gazës dhe madje, në përgjithësi, në këto rrethanat e tashme ndërkombëtare.

Perëndimi është fati i Kosovës. Pakti NATO dhe BE-ja janë synim i yni.

Nuk ka parti a subjekt politik në vend që nuk i thotë këto dy fjali, të thuash për çdo ditë të lume. Nuk ka dallim në mes tyre për këto qëllime. Këtu nuk ka dhe nuk do të duhej të kishte pushtet dhe opozitë.

Por këto synime ende nuk janë përmbushur. Në këtë kontekst mund të thuhet që aq sa Perëndimi duhet të na përkrah ne në sendërtimin e tyre, aq edhe ne duhet t’i ndihmojmë Perëndimit.

Të ngjashme