14 organizata nisin mbledhjen e nënshkrimeve “për shpëtimin e arsimit” – Këto janë tri kërkesat drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë

Prishtinë | 07 Mar 2024 | 11:08 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

14 organizata të shoqërisë civile kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit “për shpëtimin e arsimit”, raporton Ekonomia Online.

E për të proceduar këtë peticion kërkohen 10 mijë nënshkrime, me ç’rast përfaqësues të shoqërive civile kërkuan ndihmë edhe nga subjektet politike.

Egzon Gashi, drejtor i organizatës joqeveritare “Teach For Kosova”, tha se janë të shqetësuar me gjendjen e arsimit dhe reagimin joadekuat të Qeverisë, sidomos pas rezultateve të PISA-s.

“Pas rezultatit të testit ‘PISA’ ne jemi të shqetësuar me rezultatet dhe jemi të shqetësuar me reagimin jo adekuat nga qeveria. Si pasojë e kësaj ne kemi hartuar disa politika për veprime që duhet ndërmarrë në sistemin e arsimor. Ne sot do të fillojmë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve”, tha ai.

“Gjithë se bashku erdhëm te përfundimi që duhet me marrë veprime demokratike dhe që janë të parapare me kushtetuta dhe me ligjet e Kosovës. Ne atë drejtim, sot po e fillojmë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës përmes këtij peticioni. Kërkojmë që kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, qe nënkupton të gjitha partitë pa asnjë dallim, të marre veprime konkrete për reformimin e arsimit në Kosovë”, tha tutje ai.

Jehona Gjurgjeala, drejtore ekzekutive e organizatës “Toka”, përmendi disa çështje për përmirësimin e cilësisë në arsim, që sipas saj, janë urgjente.

“Riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës, Para 10 viteve, i kemi pesë 120 mijë nxënës me shume. Numri ka ra, edhe po vazhdon me ra. Janë 340 klasa në Kosovë që kanë pesë e më pak nxënës. Është mekat qe t’i leme ata në këtë gjendje. Riorganizimi i shkollave do të ndikonte në rritjen e cilësisë së arsimit. Nxënësit kanë nevojë për bashkëmoshatarë dhe një relacion te shëndoshë me mësimdhënës. MAShTI dhe komunat duhet të fillojnë mbylljen e shkollave me pak se 60 nxënës sa më shpejtë”, deklaroi ajo.

Komunikata për medie:

Rezultatet e fundit të testit PISA për Kosovën kanë ngritur shqetësime të konsiderueshme në mesin e segmenteve të ndryshme të shoqërisë, përfshirë këtu edhe organizatat e shoqërisë civile. Performanca e dobët, e shoqëruar me mungesën e një përgjigjeje adekuate nga qeveria aktuale dhe administratat e kaluara, ka shkaktuar një shqetësim të painjorueshëm dhe në nevojë të theksuar për vëmendje dhe veprim.

Në përgjigje të kësaj situate, Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP), i përbërë nga 14 organizata, ka vendosur të iniciojë një peticion me tri kërkesa kryesore drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, të cilat janë si në vijim:

  1. Riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës: Numri i nxënësve po zvogëlohet çdo vit, me rreth 340 klasa që kanë më pak se 5 nxënës në mbarë vendin. Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete për mbylljen e të gjitha shkollave me më pak se 60 nxënës.
  • Pensionimi vullnetar i parakohshëm për arsimtarët e moshës 55-64 vjeç: Aktualisht, mbi 25% e edukatorëve në Kosovë i përkasin kësaj moshe. Ofrimi i mundësisë për pension të parakohshëm është një masë e cila mundëson zvogëlimin e tepricës së arsimtarëve në Kosovë, kursimin e burimeve duke mos zëvendësuar pedagogët aty ku është e panevojshme, dhe hapjen e rrugës së një brezi të ri edukatorësh aty ku ka nevojë.
  • Vlerësimi vjetor i aftësive dhe njohurive të mësimdhënies për të gjithë edukatorët: Gjatë dekadës së fundit, vetëm 3% e edukatorëve i janë nënshtruar vlerësimeve formale të performancës. Me qëllim të mbështetjes e jo ndëshkimit të mësimëdhënësve, kjo pikë synon të kontribuojë në efektivitetin e procesit pedagogjik në tërësi.

Përmes adresimit adekuat të këtyre pikave, ne shpresojmë në një sistem arsimor të orientuar drejt një të ardhmeje të sigurt dhe premtuese.

Rrjeti synon të mbledhë 10,000 nënshkrime deri më 7 shtator. I bëjmë një ftesë të gjitha Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë që të na bashkohen në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve. Ftojmë gjithashtu studentët, edukatorët, mësuesit dhe të gjithë qytetarët e interesuar të dalin vullnetarë dhe të mbështesin peticionin, për shpëtim të arsimit.

ROSCAP (BONEVET, ETEA, FIT, KEC, KYC, LAPS, ORCA, PEN, QHPSM,QKSGj, SOS Fshatrat, Teach For Kosova, TOKA dhe VoRAE)

Të ngjashme