Që nga fillimi i vitit deri në shtator në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë strehuar 14 viktima të trafikimit me qenie njerëzore.
Në bazë të të dhënave, të gjitha viktimat kanë qenë të gjinisë femërore dhe më së shumti kanë qenë nga Kosova.
Adile Shaqiri , Udhëheqëse e Divizionit të Shërbimeve Sociale, për Indeksonline ka thënë se në Strehimoren e Përkohshme të Sigurt, gjatë kësaj periudhe kanë ofruar shërbime për 9 kosovare, 1 serbe ,3 boshnjake, 1 shqiptare.
“OJQ-Partnere e MPMS gjatë kësaj periudhe kohore ka ofruar shërbime rehabilitimi dhe ri integrimi për 14 viktima të trafikimit që kanë kaluar nga strehimoja shtetërore dhe për 13 raste të tjera që janë identifikuar në rrezik për tu trafikuar.
Viktimat e trafikimit janë, viktima që përherë kanë nevojë për shërbime shëndetësore, psikologjike dhe shërbime që lidhen me rehabilitimin e tyre. Strehimorja shtetërore ofron ambient të përshtatshëm për zhvillimin e jetës normale brenda saj ku Strehimi bëhet i ndarë për të mitur dhe te rritur, përveç ne rastet kur fëmijët janë me prindin”, ka thënë Shaqiri.
Ajo shtoi se në këtë strehimore viktimat kanë të siguruar gjërat elementare si, ushqimi, veshmbathja dhe kontrolle të rregullta mjekësore.
Sipas disa të dhënave nga Policia e Kosovës, në janar të këtij viti, rastet e trafikimit me qenie gjatë vitit 2018 kanë shënuar rënie në krahasim me vitin paraprak.
Gjatë vitit 2018 numri i viktimave të trafikimit ka qenë 15, prej tyre 12 me shtetësi të Kosovës. Kurse një vit më herët, më 2017, numri i viktimave ka qenë dyfish më i lartë, 32, prej tyre 25 me shtetësi të Kosovës.
Në një përgjigje nga Poicia e Kosovës për Indeksonline, thuhet se për parandalimin e kësaj veprimtarie ilegale kryejnë kontrolle të shumta në objekte.
Madje ata thanë se disa raste të ngjashme janë evidentuar në sallone masazhi si ato të Ofrimit të lokaleve për prostitucion, Mundësimi në Prostitucion si dhe Marrje me Prostitucion.
“Me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të këtyre veprave si dhe mbledhjen e provave, ne kryejmë edhe kontrolle të objekteve qofshin ato Hotele/Motele, Shtëpi private, lokale/klube nate, vende të masazheve etj, dhe në të gjitha ato raste kur hasen se këto biznese nuk janë të regjistruara dhe nuk posedojn dokumentacion përkatës të paraparë merren masat e parapara me ligjet në fuqi deri në mbylljen e atyre bizneseve, dhe kjo bëhet në bashkëpunim edhe me inspektorët përkatës.
Në disa raste janë evidentuar kur në sallone masazhi janë kryer edhe veprimtari të kundërligjshme si ato të Ofrimit të lokaleve për prostitucion, Mundësimi në Prostitucion si dhe Marrje me Prostitucion”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Indeksonline.
Ndryshe, të premten ka qenë Dita e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz. Me këtë rast në Kosovë është hapur fushata Kundër Trafikimit me Njerëz nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Me anë të kësaj fushate MPB synon që të bëhet fuqizimi i mekanizmave për parandalim, identifikim dhe luftim të trafikimit, të bëhet ngritja e efikasitetit në zbulimin dhe ndjekjen e trafikantëve si dhe të bëhet fuqizimi i bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar për një partneritet të fuqizuar ndaj trafikimit me njerëz.