Deri në 150 anëtarë të familjes mbretërore Saudite mund të jenë infektuar me Coronavirus, gjashtë javë pasi monarkia raportoi rastin e parë, transmeton Shqip shkrimin e New York Times-it.
Teksa ashpërsia e shpërthimit epidemik në mbarë vendin po përshkallëzohet, rreth 500 shtretër raportohet se janë përgatitur për pjesëtarët e familjes mbretërore në disa prej spitaleve më elitare të tij.
Nipi i mbretit Salman, Princi Faisal bin Bandar bin Abdulaziz Al Saud, është në terapi intensive, sipas gazetës prestigjoze. Arabia Saudite ka më shumë se 2.900 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 41 vdekje.
Këtë javë, mbretëria e Gjirit nisi një “shtetrrethim” 24-orësh në kryeqytetin, Rijad dhe disa qytete të tjera, përfshirë Xhehenxh dhe Mekën.
Tashmë ajo ka ndaluar udhëtimet për në Rijad, Mekë dhe Medina, ka pezulluar lutjet në xhami dhe ka mbyllur për pelegrinët vendet më të shenjta të Islamit në përpjekje për të kufizuar përhapjen e infeksionit.
Mbreti Salman të martën gjithashtu urdhëroi lirimin e përkohshëm të të burgosurve që vuajnë dënime të lidhura me borxhe të papaguara dhe urdhëroi pezullimin e të gjitha vendimeve që lidhen me raste të tilla. Qeveria, megjithatë, nuk tha se për sa raste bëhet fjalë.